“Shesh në Fushë-Kosovë dhe mur rreth Obiliqit” – premtimet e Tërnavës së PDK-së

1 o. më parë / 23 sht 2025 20:43
Rrahim Tërnava

Kandidati i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, ka shpalosur programin e tij përmes së cilit synon të bëhet i pari i kësaj komune. 

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për-Fushë Kosovën”, Tërnava ka premtuar ndërtimin e sheshit përmes së cilit sipas tij do të bëhet lidhja e dy pjesëve të qytetit.

“Ne në projektin që kemi dizajnuar kemi paraparë ndërtimin e sheshit prej rrethit deri tek rruga e Uglarit, në rrugën nacionale në rrugën kryesore është paraparë të bëhet sheshi dhe të bashkohet qyteti dhe poshtë sheshit të bëhet nënkalimi për vetura që do të ketë dalje tek rruga e Uglarit, që të mos pengohet komunikacioni”, ka thënë Tërnava. 

Tërnava po ashtu ka folur edhe për atë që e ka quajtur si plan “Fushë-Kosovë e gjelbër”, përmes së cilit është paraparë mbjellja e 191 mijë fidanëve të ndryshme, ndërtimi i një muri përgjatë zonës që komuna e Fushë-Kosovës kufizohet me komunë e Obiliqit në mënyrë që të ndalohet ndotja që vjen nga KEK-u. 

Tërnava ka kërkuar edhe largimin e pushtetit aktual të LDK-së të cilin e akuzuar për keqpërdorime gjatë qeverisjes në këtë komunë. 

Zgjedhjet lokale mbahen më 12 tetor.

Kandidati i LVV-së në Fushë-Kosovë: Ka ardhur koha LDK-ja të shkojë në pension

1 o. më parë / 23 sht 2025 20:35
Valon Prebreza

“Ka ardhur koha LDK-ja të shkojë në pension”, ka deklaruar kandidati i LVV-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza. 

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Fushë-Kosovën”, kandidati i LVV-së, ka thënë se edhe “pushteti aktual i kësaj komune e ka kuptuar se ka ardhur koha që ata me lëvizë, sepse nuk mund të përballen me realitetin e krijuar”. 

Gjatë emisionit Prebreza ka shpalosur premtimet e tij të cilat përfshinë ndërtim të çerdheve, fusha sportive, kënde të lodrave për fëmijë.

Kandidati i LVV-së ka thënë këto premtime mund të realizohen në varësi se sa kanë vend për të investuar pasi sipas tij pronat publike të komunës së Fushë-Kosovës janë tjetërsuar. 

“...fatkeqësisht ne nuk i dimë se ku janë pronat publike në Fushë-Kosovë përveç pronave të qeverisë, të komunës nuk kemi informacion se ku janë. Transparenca është zero, vitin e kaluar komuna ka marrë dënime mbi 36 mijë euro për shkak të mos dhënies së informacionit për pronat publike, sepse ato janë tjetërsuar... nga zyrtarët e komunës”, ka thënë Prebreza. 

Tutje kandidati i LVV-së ka akuzuar pushtetin lokal në Fushë-Kosovës se ka larguar nga puna auditorin e brendshëm për shkak se ky i fundit ka dërguar lëndë në prokurori.

Gjatë këtij debati, Prebreza ka premtuar edhe ndërtim të sheshit, krijimit të zonave të gjelbra si dhe ujë të pijshëm për të gjithë banorët e kësaj komune.

Latifi e AAK-së akuzon Berishën e LDK-së për emërime partiake në shkolla

1 o. më parë / 23 sht 2025 20:30
Vildane Latifi

Kandidatja për kryetare të Fushë-Kosovës nga radhët e AAK-së, Vildane Latifi, ka akuzuar qeverisje e deritanishme të LDK-së në këtë komunë se nuk ka punuar sa duhet sidomos në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës. 

Latifi ka akuzuar kryetarin aktual, Burim Berisha edhe për emërime partiake nëpër drejtori të shkollave.

“Në komunën e Fushë-Kosovës në të gjitha shkollat, asnjë drejtor nuk e ke të zgjedhur me profesionalizëm, por vetëm me librezë partiake. Shkollat i kemi të mbi ngarkuara me nxënës, në disa raste mësimi zhvillohet edhe në podrume, kemi mungesë të kopshteve publike...Pa u ndërruar qeverisja e LDK-së në Fushë-Kosovë, cilësia e arsimit nuk mund të arrihet, duhet të ndërrohet fillimisht i gjithë stafi i drejtorëve të shkollave, sepse asnjë nuk janë të kualifikuar”, ka thënë kandidatja e AAK-së.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Fushë-Kosovën”, Latifi ka premtuar krijimin e kushteve më të mirë në fushën e shëndetësisë dhe atë të infrastrukturës, përfshirë shtrimin e rrugëve dhe trotuareve.