Përplasen kandidatët për kryetar të Kamenicës për projektet lokale
Kandidatët për kryetar të Komunës së Kamenicës, janë përplasur rreth projekteve të realizuara në këtë komunë gjatë katër viteve të fundit sa po udhëheqë kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, njëherit kandidat për një mandat të dytë.
Nënkryetari aktual i komunës Faton Jakupi që vjen nga radhët e AAK-së, ka thënë të mërkurën në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”, se nuk janë investuar 40 milionë euro sa po i paraqet kryetari Rahimaj.
“Është e planifikuar 40 milionë euro o Kadri, jo e realizuar. Mos fol për rrugë, mos fol për rrugët e Malësisë. Kjo është kur ka hy në buxhet, 24 dhjetor 2018. E kam thënë edhe në debate të tjera, projektet dhe kopjet fizike i keni marrë nga zyra ime. Është projekt i vitit 2018.”, ka deklaruar Jakupi.
Tutje Rahimaj ka vazhduar t’i përmend projektet e realizuara gjatë mandatit të tij.
“Për katër vitet tona të qeverisjes janë 40 milionë euro investime nga qeveria dhe donatorë të jashtëm në 65 projekte. 34 projekte kanë përfunduar, janë 33 projekte në infrastrukturë rrugore apo në vlerë prej 22.6 milionë euro, 17 prej tyre kanë përfunduar.”, tha Rahimaj.
Rahimaj më pastaj i renditi edhe disa projekte të cilat i konsideron të mëdha nga shuma 40 milionë euro e investimeve.
Qëndron Kastrati nga PSD-ja, i cili me Komunën e Kamenicës ka udhëhequr në mandatin paraprak, akuzon Rahimajn se po merr përsipër merita të cilat nuk i takojnë ndërsa kërkoi që projektet të cilat po i përmend, t’i bëjë publike. Sipas tij, investimet nuk janë bërë siç duhet.
“3.5 milionë euro ka investuar në rrugën Shipashnicë-Desivojcë, ku aty do të ndërtohet diga. Banka Botërore e ka aktualisht të hapur ofertën për të propozuar dizajnin e ndërtimit të digës, por ky 3.5 milionë euro i sheh si shifër, si përqindje, si banesa në Gjilan.”, deklaroi Kastrati.
Kandidati i LDK-së shpalos premtimet për Komunën e Kamenicës
Kandidati për kryetar të Kamenicës nga LDK-ja, Shaip Surdulli, në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”, ka shpalosur disa nga projektet në rast se vije në krye të kësaj komune.
Shërbime efikase komunale e ujë të pijshëm, janë disa nga premtimet e kandidatit Surdulli.
“Do ta formojmë një këshill të drejtorëve profesional me përfaqësim gjinor adekuat dhe do të punojmë me përkushtim që administrata komunale të jetë sa më efikase. Me të vërtetë t’i ketë hije çdo qytetari që hyn në komunë, ta shoh që komuna është në rregull e mos të ketë anashkalim apo mos-përgjigje ndaj ankesave të qytetarëve. Një problem shumë i madh që e preokupon komunën tonë është furnizimi i qytetarëve me ujë, për shkak se edhe në qytet edhe në shumë lokalitete, qytetarët nuk kanë ujë të pijshëm. Ka rrjete të ujësjellësve mjaft shumë por nuk janë funksionale.”, deklaroi Surdulli.
Kandidati Surdulli poashtu premtoi trajtim të duhur të ujërave të zeza dhe funksionalizim të të gjitha Qendrave të Mjekësisë Familjare në Komunën e Kamenicës.
Jakupi ironizon me Rahimajn: Me 40 milionë investime një Kamenicë e qet në Pllanicë
Kandidati i AAK-së për kryetar të Kamenicës, Faton Jakupi, ka ironizuar me deklaratën e kryetarit aktual të kësaj komune, Kadri Rahimaj, për investime 40 milionëshe gjatë mandatit të tij.
Jakupi ka thënë se mund të jenë arritur marrëveshje me kornizë afatmesme buxhetore, por se Rahimaj s’mund të ketë sjellë gjithë ato investime.
“Është e panevojshme t’u thuhet njerëzve 40 milionë investime. 40 milionë ka mundur t’i ketë marrëveshje që kanë kornizë afatmesme buxhetore, është e drejtë të promovohet kjo. Por të thotë e kam sjellë unë investimin, me 40 milionë e merr një Kamenicë dhe e qet në Pllanicë atje, me shkolla, me bulevard, me krejt. Ne e dijmë çka ndodh në Kamenicë, e dimë me merita që thuhen janë në vazhdimësi projekte, por pejsë e këtyre 40 milionë janë edhe ato të hartuara më 2019”, u shpreh ai.
PDK-ja akuzon LVV-në në Kamenicë: Qytetarëve po u premton poste
Kandidatja për kryetare të Komunës së Kamenicës nga radhët e PDK-së, Jona Arifi, në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”, e ka akuzuar kryetarin aktual dhe kandidatin për një mandat të dytë nga Lëvizja Vetëvendosje Kadri Rahimajn, se po i lë në gjysmë projektet e nisura.
“Në Kamenicë vërtetë ka nevojë për një mendësi të re të qeverisjes. Nuk mund të flasim veç për asfalt, veç për probleme, veç për akuza kur në Kamenicë kemi arritur në atë mendësi që një qytetar e ka lënë shtëpinë tre katëshe dhe ka shkuar të jetoj në Prishtinë për shkak se nuk ka shkollë të baltetit. Çdo projekt që e ka fillu, nuk e ka përfundu. Jo vetëm projekte kapitale por për shembull, thotë një mbështetje për nënat pastaj e ndalon. Marr shumë mesazhe që thonë nuk po e marrë më atë mbështetje. Për projektet që i përmendi, ky duket se nuk po e di se çka është prioritare për qytetarët në Kamenicë.”, deklaroi kandidatja Arifi.
Sipas Arifit, në takime me qytetarë, kryetari Rahimaj nuk po e prezanton programin zgjedhor por po iu premton vende pune.
“Në Kamenicë gjithë kohës flitet që këta kur të shkojnë nëpër familje nuk flasin për program por premtojnë pozita të drejtorit, asfalte nëpër rrugë. Kjo është një ndër arsyet pse nuk e publikon listën e përfituesve të asfalteve, që t’ua premtoj çdo familjeje. Njejtë ka ndodhë edhe me pjesën e arsimit. Deri vonë nuk është duke i publiku listat e mësimdhënësve që janë pranu, që t’iu premtojë të gjithëve.”, ka akuzuar kandidatja e PDK-së.
Kastrati për Rahimajn: Ky është një kopjues i dobët
Kandidati i PSD-së për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka kritikuar kryetarin aktual të Komunës, Kadri Rahimaj, se po promovon projekte të cilat janë nisur gjatë mandatit të tij.
Ai e ka quajtur Rahimajn kopjues.
“Ky është një kopjues i dobët që nuk di as projektet e tjera t’i realizojë... Edhe në videot e tij në fushatë promovon shkollën ‘Fan Noli’ që është memorandum i 2020-s së bashku me dy çerdhe që ende nuk janë realizuar. Një prej projekteve që e promovoi është shkolla ‘Metush Krasniqi’ është projekt më 2020, ky e promovon”, ka thënë ai.
Kastrati i ka bërë thirrje Rahimajt që ta bëjë publike listën me investimet prej 40 milionë eurosh.
“Stadiumi i Kikës është i njëjti projekt që pa asnjë ndryshim është paguar më shtrenjtë. Ftoj kryetarin, le ta bëjë publike listën e 40 milionë eurove dhe t’i gjejë dy projekte që janë ide të tij. Ky është kopjues i dobët”, ka thënë Kastrati.
Rahimaj thotë se i ka bërë 40 milionë euro investime në Kamenicë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, i cili kandidon edhe për një mandat tjetër, Kadri Rahimaj, ka thënë se komuna e tij i ka bërë 40 milionë euro investime për katër vjet.
Ai ka thënë se investimet prej 40 milionë euro nga niveli qendror në Kamenicë janë bërë me meritë të tij.
“Kamenica ende ballafaqohet me shumë probleme dhe sfida prandaj ne jemi në garë. Besoj që shumë i kemi gjidhur shumë prej problemeve për 4 vjet me 40 milionë euro investime Kamenica do të jetë prapë në nivel shumë më të lartë se në mandatin e parë dhe do të vimë deri te zgjidhjet dalëngadalë. Për 65 projekte mbajnë nënshkrimin tim në bashkëpunim me Qeverinë”, ka thënë ai në emisionin "Zgjedhjet në Kohë".
Rahimaj ka thënë se është i hapur t’i përgjigjet kujtdo që ka dyshime për punët që ka kryer si kryetar gjatë këtij mandati.
“Për 4 vjet nuk e gjeni një paragraf për Kamenicën nga ish-kryetari. Tash në fushatë tenton ta sulmojë punën tonë. Jam komod me punën time dhe jo vetëm kryetarin Kastrati por të gjithë qytetarët që kanë dyshime në punën tonë më kanë partner për ushtrimin e të drejtës në prokurori dhe gjykata”.