Halili premton 2 miliardë euro investime në Skenderaj: Do ta sjell fabrikën Nestle
Kandidati i Iniciativës Qytetare për Skenderaj, Sokol Halili, ka bërë një premtim të madh gjatë fushatës zgjedhore, duke thënë se brenda dy vjetëve të para të mandatit do të realizohen investime në vlerë prej 2 miliardë eurosh në komunë.
“Me kompani të mëdha ku jam aksionar, do të investojmë 2 miliardë në dy vjetët e para. Kam obligim të mos i gënjej bashkëqytetarët e mi, por i dha vetes obligim që Drenica të lulëzojë pa Sami Lushtakun dhe pa ata kriminelë që kanë keqeverisur për 25 vjet”, ka thënë Halili në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.
Ai shtoi se në fshatin Pllozhinë, në parcelën 410, synon të sjellë fabrikën Nestle, investim me vlerë rreth 130 milionë euro, ku pritet të punësohen 350 punëtorë vetëm në një ndërrim.
Premtimet e kandidatit të VV-së për Skenderajn
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Skenderajt, Hysni Mehani, ka paraqitur programin e tij zgjedhor, duke premtuar një sërë projektesh infrastrukturore, arsimore dhe sociale.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” u shpreh se, në bashkëpunim me nivelin qendror, një nga prioritetet do të jetë realizimi i Pendës së Koçicës, si dhe ndërtimi i ngrohtores së qytetit dhe i një pishine gjysmëolimpike. Mehani premtoi gjithashtu trafik publik, ndërtimin e parqeve me lodra për fëmijë, një park inovativ, si dhe shteg për ecje e vrapim.
Në qendër të planit të tij është edhe nënkalimi në sheshin “Adem Jashari”, i cili, sipas tij, do të funksionalizonte më tej kompleksin e UÇK-së. Ai akuzoi kundërshtarin politik Sami Lushtakun se e ka mbajtur peng këtë projekt për arsye elektorale dhe për të mos humbur votat e familjeve të dëshmorëve.
Në aspektin e administratës, kandidati i VV-së premtoi zvogëlim të drejtorive, ristrukturim të administratës komunale, si dhe hapjen e çerdheve të reja. Për arsimin, ai ka paralajmëruar digjitalizimin e shkollave, dhënien e bursave, mësimin gjithëditor dhe futjen e kodimit si lëndë mësimore.
“Për çdo diplomë duhet të ketë vende pune”, u shpreh Mehani, duke theksuar se qëllimi i tij është një Skenderaj më modern dhe më i zhvilluar.
Përplasen kandidatët për Skenderaj, Mehani për Halilin: E riprodhon Sami Lushtakun
“Njerëzit si ky ta riprodhojnë Sami Lushtakun. Sepse Sami Lushtaku e ka prodhu terrenin duke luftuar njerëzit e ndershëm, intelektualët e punëtorët e devotshëm. Ky ta riprodhon Sami Lushtakun, madje Sami Lushtaku i duket intelektual”, ka thënë Mehani në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.
Në përgjigje, Halili e quajti kandidatin e VV-së shpifës dhe të pabesueshëm.
“Ti ke qenë bartës i hekurishteve. Ky është shpifës. Ky është rrenc. E njoh mirë. Pse i merr dy rroga ti? Pse nuk e lë rrogën e asamblistit për aktivisten e devotshme si Vjollca Ramadani, por i merr edhe rrogën e Parlamentit edhe të asamblistit. E them me përgjegjësi të plotë këtë”, u shpreh Halili.
Mehani i mohoi këto akuza duke u përgjigjur shkurt: “Kjo nuk është e vërtetë”.
Në debat s’ishte i pranishëm kandidati i PDK-së, Sami Lushtaku.
Halili - Mehanit të VV-së: Mos u zgërdhij, Mërgim Lushtaku t’i ka mbjellë flokët
Kandidati për Skenderaj nga Iniciativa Qytetare, Sokol Halili, e ka akuzuar kandidatin e VV-së, Hysni Mehani, për bashkëpunim me Sami Lushtakun.
Ai e ka quajtur edhe kandidatin e VV-së për asamblist, Ilir Seferin, “argat” të Lushtakut.
“Zotëri Mehana me përgjegjësi të plotë dua ta them, Mërgim Lushtaku t’i ka mbjellë flokët, ta ka dhënë një banesë 67m. Ilir Seferi është një familje e dyshimtë, është argat i Sami Lushtakut, Ilir Seferi ia ka dhënë një BMW me targa të Augsburgut Mërgim Lushtakut për ta ngritur ndërtesën pa kurrfarë kritere nga tetë kat në 15 kat. Ilir Seferi është kandidat nga radhët e VV-së, atë ia ka dërguar Sami Lushtaku këtij (drejtuar Mehanës). Mehana ia ka miratuar, votuar Fadil Nurës ngritjen e çmimit në mbeturina. Ky njeri arrogant shkon rroket edhe me mësimdhënës në shkolla”, ka thënë Halili.
Halili e krahason Lushtakun me Radoiçiqin
Kandidati i Iniciativës Qytetare për Skenderaj, Sokol Halili, e ka krahasuar kandidatin e PDK-së për kryetar të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, me kriminelin Milan Radoiçiq. Ai ka thënë se Lushtaku e mban të izoluar komunën, derisa e ka quajtur kriminel.
Halili ka shtuar se Lushtaku e ka kërcënuar një asamblist të Iniciativës Qytetare së fundi.
“Zotëri Lushtaku frikë s’e ka askënd, zotëri Lushtaku nuk e ka frikë as Zotin, megjithë ato krime që ia ka bërë bashkëvendasëve të vet, çlirimtarëve, shokëve të vet, ai ka treguar më së miri se ashtu si e kanë cekë dhe janë dënuar disa herë, ne Drenica, komuna e Skenderajt, aktualisht jemi duke jetuar në një epokë të Milan Radoiçiqit, i cili të njëjtin shantazh, të njëjtin kërcënim është duke e bërë qytetarëcve të Skenderajt. Së fundi, javën e kaluar, Lushtaku ka bë një kërcënim direkt dhe ka kërcënuar një asamblist nga radhët e Iniciativës”, ka thënë ai.
Halili ka premtuar se nëse e merr mandatin e kryetarit, do ta luftojë krimin e korrupsionin.
“Dua t’i garantoj qytetarët e Skenderajt se ndoshta jam i vetmi që mund ta pastroj komunën nga njerëz që kanë shkatërruar gjithvcka në demokraci, jetën e qytetarëve dhe gjithacka është e ozurpuar, nisur nga Policia, shëndetësia, arsimi. Ne jemi duke jetuar në epokën e Radoiciqit në veri ku njerëzit nuk kanë liri të shprehjes, nuk kanë liri as në qytet të dalin, mësimdhënësit janë të detyruar të ja bëjnë kuorumin dhe të shkojnë nëpër fushata të tij. Thirren, kërcënohen, shantazhohen. Prioritet e kam luftimin e krimit që bëhet në sytë e drenicakëve, gjithë shqiptarisë. Sami Lushtaku është i njohur për famën e tij, karakteristikën e tij tipik kriminale ashtu sic është Radoiciq në veri”, u shpreh Halili në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.
“Zullumi këputet prej s’trashi” – Mehani thotë se Lushtaku ka frikë të përballet në debat
Kandidati i Vetëvendosjes për Skenderaj, Hysni Mehani, ka kritikuar kandidatin e PDK-së, Sami Lushtaku, se nuk ka platformë për ta marrë mandatin për qeverisjen e komunës.
Ai e ka kritikuar Lushtakun edhe se nuk po merr pjesë në debate me kandidatët e tjerë për kryetar të Skenderajt, e këtë Mehani ka thënë se po e bën sepse ka frikë.
“Lushtaku po e sheh veten që s’ka plan, nuk ka një platformë me të cilën do të qeverisë. Projektet që i ka premtuar e di që nuk mund t’i realizojë gjatë mandatit. Krejt buxheti, nëse e shohim planifikimin për 2026-27-28, do të merret me projektet e mandatit të kaluar. Qe 20 vjet Sami Lushtaku e qeverisë Skenderajn, Lionel Messi ia ka prurë Barcelonës nja 35 trofe dhe ka thënë u bë boll, Sami Lushtaku po do me ia nisë sërish prej fillimit. Nuk ka platformë, ka keqqeverisë, ka korrupsion të madh dhe nuk mund të përballet me faktin. Sami Lushtaku mund të ikë prej meje, dhe jam i bindur që po ikë për këtë, por nuk mund të ikë nga demokracia si procedurë kur del e thotë fjalën publike në bazë të cilës qëndron gjatë m,adantit qeverisës. Lushtaku po del në televizione, por po del i vetëm dhe po mban monologje”, ka thënë ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.
Mehani ka shtuar se Lushtaku duhet të respektojë rregullat e një shteti, gjë që sipas tij nuk po e bën.
“Marrëveshjet që bëhen në të nëntin kat pa përfaqësimin e qytetarëve nuk do të respektohen sepse qytetarët e Skenderajt kanë integritet. Nuk mund të ulen dy vetë të mirren vesh çka do të ndodhë dhe me nda pushtetin. Gjithçkaje i vjen fundi dhe populli e ka një thënie, ‘zullumi këputet prej s’trashi’, e aty zullumi është trashë shumë”, përfundoi ai.