Kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se “Skenderaj është me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e me trashëgimtaren politike të saj, Partinë Demokratike të Kosovës”.
Ai ka thënë se Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që “Kosovën i sollën vetëm përçarje e sanksione ndërkombëtare dhe prishje me aleatët”, duke aluduar te kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.
“Skenderaj nuk është e nuk do të bëhet kurrë me ata të cilët sapo erdhën në pushtet, na e ndalën projektin e furnizimit me ujë në Brus, i cili do të zgjidhte problemin e furnizimit me ujë për qytetin dhe fshatrat e Skenderajt, e të cilët sot pa fije turpi premtojnë "Pendën e Kuqicës". Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që as FSK-në nuk e dërguan kur ndodhi fatkeqësia natyrore e vërshimeve e 19 janarit 2023, e nuk kompenzuan mbi 10 milionë euro dëme në infrastrukturë publike e private. Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që nuk mbahen mend për asnjë projekt infrastrukturor e zhvillimor në Kosovë. Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje, sanksione ndërkombëtare e prishje me aleatët tanë ndërkombëtarë, ShBA-të e BE-në, me të cilët Hashim Thaçi e Ushtria Çlirimtare e Kosovës krijoi miqësi nga malet e Kosovës në vitin 1998”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Ai ka thënë se “Skenderaj i thotë si gjithmonë ‘jo’ demegaogëve”.
Lushtaku të dielën pati tubime në Polac, Klinë të Epërme, Marinë dhe Makërmali.
“E sonte, Polaci, Klina e Epërme, Marina e Makërmali i thanë sërish fuqishëm “PO” Partisë Demokratike të Kosovës. Faleminderit të gjithëve për përkrahjen e madhe e të parreshtur. Kjo mbështetje është dëshmia më e mirë se vizioni ynë për zhvillimin e Skenderajt përmes programit tonë zhvillimor po gjen përkrahje të parreshtur në çdo lagje e në çdo fshat të Skenderajt”, ka shkruar Lushtaku.
Kurti ishte po ashtu të dielën në Skenderaj duke ofruar përkrahje për kandidatin e LVV-së për kryetar, Hysni Mehani.
“Kandidati tjetër rival i Hysni Mehanit është kandidat më shumë se multimilioner, që garon për të sunduar jo për të shërbyer”, tha Kurti.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.
