Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar kryetarin aktual të Prishtinës, njëherit kandidat për një mandat të dytë nga radhët e LDK-së, Përparim Rama, se çdo vit gjatë mandatit të tij, i ka mbetur buxheti i pashpenzuar.
“Buxheti që i ka shku suficit (i pashpenzuar) Komunës së Prishtinës, nëpër vite: Viti 2022: 49 milionë euro të pashpenzuara. Viti 2023: 53 milionë euro të pashpenzuara, Viti 2024: 34 milionë euro të pashpenzuara Kurse për vitin 2025 i cili ende nuk ka përfunduar, me shumë gjasë suficiti përsëri do ta kalojë 50+ milionë euro”, ka shkruar Murati në Facebook.
Sipas Muratit, ankesat për buxhet të Ramës, nuk qëndrojnë.
“Pra, secilin vit të qeverisjes janë me dhjetëra miliona euro që i kanë tepru të pashpenzume dhe i ka kthy mrapa, ama Përparim Rama ankohet që s’ka pasë buxhet dhe qeveria e paska diskriminu. Është marre për një kryetar me i kthy 50 milionë euro të pashpenzume në fund të vitit, përderisa ke probleme me bërllog, me qenë endacakë, me mungesë të çerdheve, e infrastrukturë të pakompletuar”, tha Murati.