Zgjedhjet lokale

Në Han të Elezit 10.5 për qind e votuesve u shoqëruan në kabinë votimi nga persona të tjerë

Janë hedhur dyshime për kontroll të votës nëpërmjet asistimit. Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, ka treguar shembullin e Hanit të Elezit, ku 10.5 për qind e votuesve u shoqëruan nga persona të tjerë, nga të cilët 243 nën justifikimin se kanë problem me shikimin. Kurteshi tha se, pas verifikimit që ka bërë, vetëm një person në këtë komunë është në skemën pensionale për të verbër

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ka kërkuar të mërkurën të përsëritet procesi i votimit në të gjitha komunat ku ka numër të lartë të votave me asistencë.

Në mbledhjen e KQZ-së, ai ka thënë se në Komunën e Hanit të Elezit, 10 për qind e votave janë me asistencë, dhe se gjysma e tyre janë arsyetuar me probleme në shikim.

Kurteshi tha se ka kërkuar të dhëna nga Departamenti i Pensioneve në Ministrinë e Financave Punës dhe Transfereve dhe rezulton se në këtë komunë vetëm një person e gëzon të drejtën e pensionit për shkak të verbërisë.

“Në Han të Elezit pjesëmarrja është 5 mijë e 15 votues, nga 8000 e diçka (v.j. të regjistruar). Nga 5.015 votues, 527 janë me asistencë ose 10.5 për qind. Nga ta, të verbër ose me shikim të dobësuar thuhet se janë 243, kurse analfabetë, që nuk dinë shkrim-lexim, ka mundësi që janë edhe të shkolluar, analfabet funksionalë 244”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka bërë të ditur se edhe në Kllokot ka numër të lartë të votave që janë dhënë me asistencë, duke përdorur vërtetime të rreme mjekësore.

Votimi me asistencë nënkupton që fletëvotimi të plotësohet nga një person që shoqëron votuesin, për shkak të paaftësisë për të votuar.

Në mbledhjen e parë të KQZ-së pas ditës së zgjedhjeve, anëtarët e këtij institucioni kanë kërkuar shpjegime nga drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, për vonesën në shpalljen e rezultateve përfundimtare, që ishte paraparë për sot.

Ai pranoi që procesi është vonuar. 

“Meqenëse sot nuk kemi mundur të implementojmë një aktivitet të tillë për shkak të ecurive të tjera të procesit, po besoj që nesër ky proces përfundon sa i përket numërimit të të gjitha fletëvotimeve”, ka thënë Buzhala.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, tha se shpalljen e rezultateve përfundimtare duhet bërë sa më parë, e të mos pritet epilogu i të gjitha ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. 

“Nuk mundemi të presim kështu në pafundësi, sepse po e shoh tërë kohën që ka ankesa, ju t’i vendosni tërë kohën në rinumërim, përderisa ende nuk është shpallur një rezultat përfundimtar si KQZ me procesin e parë. Pra, procesin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve dhe votave për subjektet politike e kandidatë. Kur përfundon ky proces, pastaj hapet mundësia që palët të ankohen për rezultatin në cilindo vendvotim”, ka thënë Elshani.

Në këtë mbledhje u miratua vendimi i PZAP-së për rinumërimin e 16 kutive të votimit, të cilat u përkasin vendvotimeve të komunave të ndryshme në Kosovë.

Gjithashtu u miratua edhe fletëvotimi për raundin e dytë, ndonëse ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare e as nuk janë certifikuar ato.