Zgjedhjet lokale

PDK-ja thotë se kryeson për kuvendet komunale me mbi 175 mijë vota

Memli Krasniqi

Memli Krasniqi

Foto: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka marrë numrin më të madh të votave në nivel vendi sa i përket garës për kuvendet komunale. 

Me mbi 175 mijë vota, ajo renditet e para duke lënë pas LDK-në me mbi 168 mijë vota dhe Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 156 mijë vota. 

Në njoftimin e lëshuar nga PDK-ja thuhet se në garën për kryetarë komunash, kjo parti ka dalë e dyta me rreth 200 mijë vota.

Tutje është vlerësuar se PDK-ja ka arritur të shndërrohet si forcë kryesore politike edhe në Prishtinë. 

“Sa i përket votave të marra për Kuvendin Komunal të Prishtinës, PDK ka arritur rezultatin më të mirë ndonjëherë, duke u radhitur si parti e dytë me mbi 21 mijë vota, pa u numëruar ende të gjitha kutitë. Ndërkaq, kandidati ynë për kryetar Uran Ismaili është radhitur i treti me 28 mijë e 588 vota, me mbi 10 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021”, thuhet në njoftim. 

Rezultatet aktuale, si për kuvendet komunale ashtu edhe për kryetarët e komunave, ende nuk janë përfundimtare. Për shkak se në disa komuna procesimi i votave nuk ka përfunduar, mbetet mundësia për ndryshime në përqindje apo renditje.