Policia e Kosovës ka paraparë katër faza operacionale për “Zgjedhjet lokale 2025”, është bërë e ditur në një komunikatë për media nga ky institucion për një takim që drejtori Gazmend Hoxha ka mbajtur me stafin e lartë menaxhues.
“Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit senzitiv e deri në përfundim të procesit”, thuhet në njoftim të Policisë.
Hoxha ka thënë se për Policinë është primare të ketë rend, qetësi e siguri publike para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
Në komunikatë është bërë e ditur se për zgjedhjet lokale do të angazhohen një numër “i mjaftueshëm” i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.
“Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thuhet në komunikatë.