Kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK-ja, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit tha se Ramës i ka mbetur buxhet i pashfrytëzuar çdo vit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama thotë se Murati i ka bllokuar të hyrat vetanake dhe sipas tij, kjo rrezikon shumë kategori.
“Me këtë veprim po rrezikon ushqimin e fëmijëve në shkolla, shërbimet emergjente, shëndetësore, transportin publik dhe pagesat për familjet në nevojë. E gjithë kjo për t’ia hapur rrugën kolegut tuaj që ka bllokuar çdo projekt transformues në Prishtinë dhe që në fund doli të kandidojë për Kryeqytetin, të njëjtin qytet që e ka blloku për 4 vjet!”, ka shkruar Rama.
Tutje ai ka renditur disa veprime siç tha – të ndërmarra nga Ministria e Financave, për të bllokuar Komunën e Prishtinës.
“-35 milionë euro të bllokuara nga Ministria e Financave janë mjete të aprovuara në Ligjin e Buxhetit për vitin 2025, duke përfshirë Grantin Qeveritar dhe të hyrat vetanake. Mbajtja peng e këtyre mjeteve është e pajustifikuar dhe dëmton investimet dhe shërbimet për qytetarët.
-28.6 milionë euro të bartura nga viti paraprak nuk janë kaluar në Kuvend për miratim për shkak të mosvotimit nga LVV dhe PDK, ndonëse ne kemi dërguar disa herë propozimin për miratim. Kjo ka shkaktuar vonesa dhe ka penguar realizimin e projekteve të planifikuara për Kryeqytetin.
-Të hyrat nga Policia dhe Gjykatat për tremujorin e fundit të vitit, nuk mund të pranohen nga Komunat para datës 31 dhjetor. Kjo është praktikë ligjore dhe administrative që ka ekzistuar ndër vite dhe nuk ka të bëjë me vonesa nga Komuna.
-Mosalokimi i mjeteve vetanake sipas ligjit nuk është vetëm pengesë administrative, por edhe shkelje KUSHTETUESE, sepse cenon autonominë financiare të Komunës së Prishtinës dhe të drejtën e qytetarëve për shërbime publike cilësore”, ka shkruar mes tjerash Rama.
E Murati ka reaguar sërish duke thënë se komunat kanë autonomi financiare të garantuar me ligj.
“Komunat kanë autonomi financiare të garantuar me ligj, dhe edhe me ju tek dikujt, s’mundet me i blloku. Komuna e Prishtinës ka dështuar ta kalojë buxhetin në asamble sipas afatit ligjor - sepse Përparimi e Urani u idhnun dhe vendosën me i lanë në lloç votuesit - prandaj komuna s’mund ta shfrytëzojë të plotë buxhetin në vitin 2025. Këtë e përcakton ligji, askush tjetër. Por për vitet 2022, 2023, dhe 2024, buxhetin e ka pasur të miratuar, dhe megjithatë Përparimit i kanë tepru mbi 50 milionë euro në vit të pashpenzuara. Si gjithnjë, përsëri qenka mundu që dështimet e veta me i faturu si bllokadë, por nuk i shitet kjo tek qytetari”, ka shkruar Murati në Facebook.
