Zgjedhjet lokale

Rama premton unazën e kryeqytetit, Shehu siguron mbështetjen e PDK-së në Junik

Përparim Rama

Në ditën përmbyllëse të fushatës, kryetari i Prishtinës Përparim Rama i cili synon edhe një mandat, ka prezantuar projektet që, siç tha, i ka përfunduar në kryeqytet.

Ai premtoi projekte kapitale në Prishtinën e Re, nëse mbërrin ta fitojë garën.

“Në Prishtinën e re jemi duke përfunduar punë të mëdha sikurse shkolla atje që jemi duke e ndërtuar, po ashtu qendra për punë sociale e cila po zhvillohet më një intensitet të lartë dhe brenda gjashtë muajsh do të kryhet  Po ashtu e kemi kanalizimin e Hajvalisë që tash jemi në përfundim e sipër. E përmbi të do ta bëjmë edhe unazën e kryeqytetit”, ka thënë Rama.

E kandidati për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, shprehu pritjen se në këto zgjedhje, LDK-ja do ta rimarrë pushtetin lokal, pas gati dy dekadash.

Në Vushtrri, kandidati Xhafer Tahiri, që synon rikthimin në krye të Komunës, përmbylli kampanjën parazgjedhore me një tubim me gratë. Ai premtoi se nëse fiton zgjedhjet, do të krijojë fond prej 500 mijë eurosh për mbështetjen e gruas në këtë komunë.

Ndërkaq, kandidati që e synon të udhëheqë me Gjakovën, Shefqet Shehu, u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ndryshojë pushtetin.

“Faleminderit për çdo derë të hapur, çdo dorë të shtrënguar e çdo zë të dëgjuar. Kështu bashkë, nesër, më 12 tetor le të dalim në mënyrë sa më masive të votojmë sepse kështu e bëjmë ndryshimin”, ka deklaruar Shehu.

Fushata për zgjedhjet e së dielës është përmbyllur edhe në komuna të tjera.

Në Junik, kryetari aktual Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se dega e LDK-së në këtë komunë dhe ajo e PDK-së kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje për mandatin 2025-2029. Kandidati i PDK-së për kryetar të Junikut është tërhequr nga gara dhe ka vendosur ta mbështesë Shehun.

Lexo përditësimet tjera
Votat - zgjedhjet - 9 shkurt

Dita e fundit, partitë mbyllin fushatën