Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili synon ta sigurojë mandatin e dytë si kandidat i Lidhjes Demokratike, ka vazhduar t’i promovojë punët e katër vjetëve të udhëheqjes. Ai tha se për herë të parë po trajnohen 15 zjarrfikës vullnetarë, të cilët do t’i bashkohen misionit për mbrojtjen e kryeqytetit, ndërsa kërkoi edhe një mandat për ta çuar përpara, siç tha, transformimin e nisur. Në Obiliq kryetari Xhafer Gashi, që pretendon edhe mandatin e radhës, promovoi fillimin e asfaltimit të një shtegu për biçikleta në rrugën “Hasan Prishtina”. Ndërkaq në Prizren, Driton Selmanaj u zotua se nëse bëhet kryetar, asnjë lagje nuk do të mbetet pa rrjet kanalizimi dhe ujë të pijshëm.
“Atë çka unë mund të them është që në momentin që ne do të vijmë në krye të qeverisjes komunale, do ta kemi fokusin kryesor që jo vetëm kjo lagje por asnjë lagje në Prizren të mos mbetet pa rrjet kanalizimi dhe pa ujë të pijshëm. Kjo është infrastruktura bazike dhe pa këto as që mund të planifikohet, jo të ndërtohet, po madje as të jetohet”, tha Selmanaj.
“ Projektet madhore që jemi duke i bërë, pra propozimet tona, vizioni ynë, planifikimet tona, të gjitha këto që i kemi planifikuar jemi duke i realizuar. Disa kanë përfunduar, disa janë në përfundim e sipër e disa kanë filluar, disa do të fillojnë këta katër vjetët e ardhshëm. E mbani mend, kam thënë se Prishtina transformohet në 8 vjet. Kam kërkuar para 4 vjetëve, 8 vjet për ta transformuar Prishtinën”, tha Rama.
