Besa Shahini, kandidate e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, ka komentuar premtimet e tre kundërkandidatëve të saj.
Sipas saj, premtimet e Përparim Ramës së LDK-së, Hajrulla Çekut të VV-së dhe Uran Ismailit të PDK-së, nuk janë zgjidhje për qytetarët. Ajo i ka kritikuar për qasjen e tyre karshi sheshit “Xhorxh Bush” në qendër.
“Tre kundërkandidatët nga PDK-ja, LDK-ja dhe VV-ja po merren me sheshin. E nisi Përparimi me idenë që do ta bëjë sheshin një qendër tregtare, thuajse kemi nevojë për të në qendër, me buxhet prej 18 milionë eurosh, me të cilat do t’i ndërtoja 5-6 shkolla me shumë lehtësi. S’mori leje të nevojshme e pastaj Hajrullahu u përfshi dhe tha jo unë i bllokoj këto punime. U bë fushëbetejë kryesore për komunën e Prishtinës në shesh, që s’është fare prioritet për banorët e Prishtinës. Edhe Urani u përfshi gjithashtu dhe tha që të mos mbetej mbrapa kësaj beteje, gjoja mbyllja e sheshit paska shkaktuar trafikun. Tregon injorim total të situatës se si është realisht. S’di çka të them tjetër për prioritetet e tyre. Prioritetet e tyre të caktuara nga tre kundërkandidatët kryesorë në Prishtinë nuk janë që zgjidhin problemet e qytetarëve. Në asnjë nga takimet që kam bërë deri tash, askush s‘ma ka përmend sheshin”, ka thënë ajo.
