Zgjedhjet lokale

Sot nis zyrtarisht fushata për balotazhin

zgjedhjet lokale - 2025

Foto: Driton Paçarada

Në 18 nga 38 komuna do të zhvillohet gara e balotazhit për kryetarë të komunave, e fushata zyrtarisht nis sot, ndonëse kandidatët e partitë kanë mbajtur tubime në vazhdimësi.
Fushata do të zgjasë gjashtë ditë.

“Gjatë periudhës prej më shumë se gjashtë ditësh, nga 3 deri në momentin e hapjes së Qendrave të Votimit, më 9 nëntor, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, fushata përfundon me hapjen e Qendrave të Votimit në ditën e zgjedhjeve. Kështu, njësoj si në zgjedhjet e mbajtura në më 12 tetor, dita e shtunë nuk është ditë heshtjeje zgjedhore”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. 

Ndonëse fushata zgjedhore është e paraparë të nisë të hënën, aktivitetet e fushatës subjektet dhe kandidatët i kanë nisur më herët.

LVV-ja të shtunën ka mbajtur tubim në Prishtinë, ndërsa kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama, e ka postuar një video të sponsorizuar në Facebook ku ka promovuar punën e tij në katër vitet që shkuan. 

Rregullat zgjedhore nuk vlejnë për këtë periudhë.

E balotazhi do të zhvillohet në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë e Jugut, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Suharekë, Rahovec, Klinë, Dragash, Kaçanik, Viti, Obiliq, Mamushë, Junik e Kllokot.
Të dielën u arritën dy marrëveshje PDK-LDK, në Mitrovicën e Jugut dhe Prizren. 

E marrëveshje njoftoi edhe kandidati i Vetëvendosjes për Prizrenin, Artan Abrashi me Zafir Berishën. 
Balotazhi për zgjedhjet lokale mbahet më 9 nëntor. 

Nga 18 komunat, Vetëvendosja është në balotazh në më së shumti, 12.

Për nga numri i votave për kryetarë në 7 qendrat e mëdha në zgjedhjet e 12 tetorit, LDK-ja doli e para në Prishtinë e Pejë, PDK-ja në Prizren, LVV-ja në Gjilan e Mitrovicë të Jugut, kurse AAK-ja në Gjakovë.
Ferizaj ka rizgjedhur Agim Aliun e PDK-së edhe për një mandat.

E KQZ-ja të hënën do të mbajë mbledhje nga ora 13:30, ku pritet të certifikohen rezultatet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në 35 komuna. Po ashtu është paraparë të shpallen rezultatet përfundimtare në Prishtinë, Mamushë e Junik për kryetarë si dhe rezultatet përfundimtare për Kuvendet Komunale.