Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e LDK-së kundër vendimin të PZAP-së. Ky institucion e dënoi me 5 mijë e 100 euro këtë subjekt politik për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.
PZAP-ja kishte pranuar ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje pasi sipas tyre, kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit Komunal për fushatë zgjedhore.
“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës të mbajtur më dt.24.09.2025 rreth orës 11 ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit Komunal të Prishtinës për të bërë fushatë elektorale për vete dhe subjektin politik të cilin e përfaqëson Lidhja Demokratike e Kosovës ashtu që në fjalën e mbajtur para anëtarëve të Kuvendit rreth pikës së rendit të ditës Miratimi i Projekt buxhetit për vitin 2026 ka deklaruar se:” Ftoj qytetarët e kryeqytetit të reflektojnë, që më 12 tetor të ua tregojnë vendin secilit asambleist që e ka bllokuar dhe vazhdon ta bllokojë këtë proces demokratik...”, thuhet në ankesë.
Megjithatë, ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje e kundërshtoi LDK-ja duke thënë se deklaratat e Ramës lidhen me aprovimin e buxhetit dhe çështja, as me slogane, e as me thirrje për votim, nuk ka pasur të bëjë me fushatë zgjedhore, rrjedhimisht, kundër vendimit të PZAP-së, LDK-ja paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme duke e cilësuar si të padrejtë. LDK-ja gjithashtu kërkoi që të hiqet në tërësi dënimi i shqiptuar nga PZAP ose të ulet gjoba.
Në vendimin e PZAP-së, nuk gjeti shkelje Gjykata Supreme.
“LDK, si parashtruese e kësaj ankese, me pretendimet ankimore, nuk ka arritur që të vë në dyshim vendimin e ankimuar të PZAP-së, i cili, bazuar në aktgjykimin AA.nr. 86/2025 është i drejtë dhe i ligjshëm, andaj, kjo Gjykatë, ankesën e paraqitur nga Subjekti Politik Lidhja Demokratike e Kosovës, kundër vendimit të kontestuar, e refuzoi si të pathemeltë.”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.