Zgjedhjet lokale

Terras dënon manipulimin dhe ndërhyrjen e Vuçiqit në zgjedhjet në Kosovë

Riho Terras

Riho Terras

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, përmes një reagimi të premten ka dënuar manipulimin dhe ndërhyrjen e shtetit të Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë që do të mbahen të dielën.

Terras ka thënë se kur po afron dita e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ndikimi dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Serbisë janë bërë sërish të qarta.

“Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë shpallur publikisht mbështetjen e tyre për një parti të caktuar politike të serbëve të Kosovës, kanë shpallur zgjerimin e skemës së ndihmës sociale në Kosovë dhe kanë njoftuar për mundësi të reja afatshkurtra punësimi në institucionet e kontrolluara nga Serbia në Kosovë, gjatë ditëve në prag të zgjedhjeve”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Terrasi ka thënë se veprimet që dirigjohen nga presidenti Aleksandar Vuçiq synojnë drejtpërdrejt “përshkallëzimin e situatës tashmë të ndjeshme në Kosovë dhe janë qartësisht armiqësore”.

Ai ka përmendur edhe Nathalie Loiseau, vëzhguesen e Bashkimit Evropian në zgjedhjet e 9 shkurtit, e cila kishte pasur vërejtje për ndërhyrjen e Serbisë.

Në fund, Terras i ka bërë thirrje Serbisë të ndalojë ndërhyrjet dhe t’u lejojë qytetarëv të Kosovës të zgjedhjen në mënyrë demokratike përfaqësuesit lokalë.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

Në prag të zgjedhjeve lokale të së dielës në Kosovë, ndikimi dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Serbisë në këto zgjedhje janë bërë sërish të qarta.

Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë shpallur publikisht mbështetjen e tyre për një parti të caktuar politike të serbëve të Kosovës, kanë shpallur zgjerimin e skemës së ndihmës sociale në Kosovë dhe kanë njoftuar për mundësi të reja afatshkurtra punësimi në institucionet e kontrolluara nga Serbia në Kosovë, gjatë ditëve në prag të zgjedhjeve.

Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras (MEP, EPP), ka dënuar ashpër manipulimin dhe ndërhyrjen paraelektorale në punët e brendshme të Kosovës nga presidenti Vuçiç. Sipas tij, veprimet e Serbisë synojnë drejtpërdrejt përshkallëzimin e situatës tashmë të ndjeshme në Kosovë dhe janë qartësisht armiqësore.

Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë ishte shqetësim edhe më parë, i ngritur nga ish-vëzhguesja kryesore e BE-së, Nathalie Loiseau, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit.

Raportuesi i PE-së, Terras, i bën thirrje Qeverisë së Serbisë të ndalojë ndërhyrjet në zgjedhjet në Kosovë dhe t’u lejojë qytetarëve të Kosovës të zgjedhin në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre lokalë.