Zgjedhjet lokale

KQZ-ja ka refuzuar 2400 pako të votave me postë

Votat me poste

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë refuzuar 2.400 pako me fletvotime nga diaspora, pas procesit të vlerësimit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se prej 18.000 pakove sa i janë nënshtruar këtij procesi deri më tani, 2.400 janë refuzuar sepse nuk kishin dëftesa regjistrimi.

“Deri të mërkurën në orën 16:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë pranuar, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 18.000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 15.600, ndërkaq janë refuzuar rreth 2.400. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 2.358 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, ka thënë Elezi.

Elezi poashtu ka theksuar se deri në orën 16:00 të së mërkurës, janë verifikuar rezultatet për 1.133 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për kuvende komunale nga 1.084 vendvotime.

 “Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 16:00 të ditës së sotme, e mërkurë, janë verifikuar rezultatet për 1.133 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1.084 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 1,084, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Deri më tani, aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 9 komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë. Kësaj liste pritet t’i shtohen edhe disa komuna tjera deri në përfundim të ditës së sotme. Komunat, në të cilat ka përfunduar procesi, kanë dorëzuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka thënë Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së poashtu ka bërë të ditur se ka filluar edhe skanimi i listës së votuesve nga vendvotimet e rregullta nga disa prej komunave që tashmë kanë përfunduar punën QKN dhe që kanë dorëzuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. 

Numri i zarfeve me fletëvotime nga votimi me kusht i mundësuar në 54 vendvotime në 38 komuna është 2.119, ndërkaq, në programin e votimit përmes ekipeve mobile, numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta ishte 3.467”

KQZ-ja ka bërë të ditur se në fund të procesit të vlerësimit, do të publikojnë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.