Pas numërimit të shumicës së votave me postë për kryetarë dhe asamble në zgjedhjet e 12 tetorit është konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje i prin garës së përgjithshme për kryetarë komunash, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës garës për asambletë komunale.
Të dyja këto parti i kanë siguruar pushtetet pa balotazh në nga tri komuna. Vetëvendosje ka fituar në Kamenicë, Podujevë e Shtime, ndërsa PDK-ja në Skenderaj, Ferizaj e Han të Elezit. Pa balotazh Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Istog e Lipjan, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan. Garën qysh më 12 tetor e kanë mbyllur edhe Ramiz Lladrovci në Drenas e Nisma në Malishevë. Lista Serbe i ka fituar pa balotazh nëntë komuna me shumicë serbe.
E në 18 komuna të tjera do të ketë edhe raund të dytë – më 9 nëntor. Lëvizja Vetëvendosje hyn në këtë raund si e para në Gjilan, Fushë-Kosovë e Mitrovicë. E si e dyta do të hyjë në nëntë komuna: Gjakovë, Kaçanik, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti, Vushtrri. Pra gjithsej ajo ka gjasa të fitojë në 15 komuna në total.
Përballja më e shpeshtë në raundin e dytë do të jetë në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këto dy parti do të përballen në Gjilan, Fushë-Kosovë, Obiliq, Pejë, Prishtinë e Viti. LDK-ja është në garë edhe për Dragash, Suharekë e Junik. LDK-ja pra në total më së shumti mund të fitojë 11 komuna.
PDK-ja do të jetë në balotazh në Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë, Prizren e Vushtrri. Po që se i fiton të gjitha këto komuna, dhe tri që i ka fituar pa balotazh, maksimumi që PDK-ja mund të arrijë është nëntë komuna të udhëhequra.
AAK-ja, si forca e katërt më e madhe politike në Kosovë, pa balotazh ka siguruar fitore vetëm në Deçan. E në balotazh do të hyjë në Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë e Junik. Totali i komunave që kjo parti mund të udhëheqë po që se i fiton të gjitha në balotazh, është gjashtë.
Por strukturë krejt tjetër ka pasur vota për asambletë komunale. Aty udhëheq Partia Demokratike e Kosovës që në nivel vendi për asamble ka marrë më shumë se 186 mijë vota. Pas saj është Lidhja Demokratike e Kosovës që ka marrë më shumë se 182 mijë vota ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e treta ka 167 mijë vota. AAK-ja i ka marrë 86 mijë vota.