Arbëri

Pula: Kushtetuesja nuk dha zgjidhje juridike për krizën politike

Shqiprim Pula

Analisti politik, Shqiprim Pula, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese nuk e ka sqaruar çështjen e seancës konstitutive, duke shtuar se s’ka ofruar zgjidhje juridike për një problem politik.

Ai ka deklaruar në “Konfront” të KTV-së se aktgjykimi është brengosës.

“Kjo është një situatë që studentët e Juridikut do ta studiojnë, por ajo që më brengosë është që Gjykata Kushtetuese nuk ka sjell një zgjidhje juridike për problem politik. Kushtetuesja do të duhej të analizonte nëse veprimet procedurale të kryesuesit të seancës, i cili nga një votim i hapur e ka kthyer në votim të fshehtë, është apo jo i ligjshëm”, ka thënë Pula.

Ai ka shtuar se Kushtetuesja dha vendim që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve, por “s’e ka sqaruar se si do të bëhet kjo”.


Abazi: Qëllimi i Kurtit, mbajtja e dy palë zgjedhjeve në të njëjtën ditë

Ish-deputeti Haki Abazi ka thënë se qëllimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është që të thellojë krizën politike dhe më pas të shfrytëzojë për avantazhe të veta.

Sipas Abazit, Kurti po synon të sabotojë çdo përpjekje për konstituimin e institucioneve të reja, me qëllim që të krijojë një situatë të favorshme për të mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe ato lokale në të njëjtën ditë.

“Për aq sa e kam parë vendimin e Kushtetueses, është bërë punë shumë e mirë që të lëvizet nga kjo status-quo e bllokimit. Por qëllimi kryesor i Kurtit është të sabotojë çdo formë të konstituimit të institucioneve, duke thelluar krizën dhe mbi këtë krizë të ndërtojë avantazhin e vet elektoral”, ka thënë Abazi në “Konfront” të KTV-së.

Ai përmendi gjithashtu se lëvizjet e fundit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) mund të sinjalizojnë një hapje të mundshme të Kurtit për koalicion, por se është herët për të konkluduar diçka të tillë.

“Edhe nëse gjen partnerë, jam i bindur se qëllimi i tij (Kurtit) është që pas një marrëveshjeje të përkohshme, të rrëzojë të njëjtën qeveri pas 45 ditësh, siç lejon Kushtetuta, vetëm që të shkaktojë mbajtjen e zgjedhjeve të sinkronizuara me ato lokale. Kjo është pjesë e algoritmit politik të Kurtit për të sabotuar funksionimin e çdo qeverie që nuk është e tij”, theksoi Abazi.

Ai akuzoi Kurtin për kryeneçësi dhe mungesë interesi për të mirën e vendit, duke theksuar se strategjia e tij bazohet në prodhimin e krizave të reja si mënyrë për të mobilizuar mbështetjen politike.

“Kurti nuk e çan kokën për interesin e vendit. Ai insiston me çdo kusht të arrijë skenarin e vet politik, që përfshin destabilizimin institucional si mjet për mobilizim elektoral”, përfundoi Abazi.