Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur qëndrimin e LDK-së se nuk do ta votojnë asnjë kandidat pa një marrëveshje paraprake politike.
Ai në një postim në Facebook pas përfundimit të seancës ku dështuan të votohen tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar Kuvendi, ka thënë se ky është niveli i tyre.
I pari i LDK-së ka thënë se partia e tij ka ofruar marrëveshje uniteti, porse nuk e deshën.
VV-ja sot propozoi ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci dhe deputetin Dimal Basha.
Sipas Abdixhikut, “kjo është derexheja në të cilën ka rënë vendi. Këta janë njerëzit me të cilët pretendojnë të udhëheqin këtë shtet”.
“Ju përçmojnë; prandaj dhe me përçmim ju përfaqësojnë. Qëndrimet e LDK-së janë parimore dhe konsistente që nga dita e parë. Sepse janë të tilla, edhe po qëndrojnë mbi lojërat patetike politike. Pa marrëveshje nuk mund të ketë shumicë. Pa marrëveshje nuk mund të ketë votë - për askend dhe asnjërin! Marrëveshje uniteti ofruam, nuk e deshën. Tani le të bartin përgjegjësinë e bllokimit. Jemi të bindur gjithsesi, se duke sharë e ofenduar në vazhdimësi, nuk do të ndryshojnë mendimin e asnjërit”, ka thënë ai.
