Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Skeja: Nuk funksionon sistemi social për mbrojtjen e fëmijëve

Bind Skeja

Drejtori i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, Bind Skeja, ka thënë se sistemi i përgjithshëm social i cili është përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve, nuk funksionon.

Në emisionin “Konfront” në KTV, Skeja ka thënë se shumica e shkollave nuk kanë as psikolog.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Shumica e shkolla nuk kanë protokoll, nuk kanë psikologë shkollorë e ata që kanë e ndajnë me dy-tri shkolla tjera. Po flasim për një sistem të përgjithshëm social duke i përfshirë shkollat, qendrat e shëndetit mendor të cilat janë vetëm skelet”, ka thënë Skeja

Në lidhje me deklarimet e disa viteve më parë kur mësimdhënës të fëmijëve në fjalë kishin deklaruar se nuk kanë parë shenja dhune, Skeja potencoi se ata duhet të mësohen t’i dallojnë sjelljet dhe çdo specifikë të fëmijëve të cilët po kalojnë nëpër një situatë dhune.

“Mësimdhënësit duhet t’i mësojnë shenjat të cilat tregojnë se një fëmijë po përjeton dhunë nëse nuk i dijnë. Nuk duhet të lihen këto gjëra të nënkuptohen me mendimin se duhet ta dijnë sepse kështu pastaj po dështojnë përgjegjësitë individuale të secilit që ka një rol dhe një përgjegjësi që duhet ta kryej”, ka thënë Skeja.


Krasniqi: Kosova s'ka strehimore shtetërore për fëmijët që u merren prindërve

Rema Krasniqi, drejtoreshë nacionale për avokim në SOS Fshatrat e Fëmijëve, ka thënë se Kosova nuk ka strehimore shtetërore për fëmijët që largohen nga prindërit për arsye të ndryshme.

Ajo ka thënë se për shkak të mungesës së strehimores shtetërore, rastet e tilla menaxhohen nga institucionet në bashkëpunim me organizatat që ofrojnë shërbime të tilla për të gjetur alternativë për një fëmijë që largohet nga prindërit.

“Qendra për Punë Sociale bashkë me institucionet e tjera e merr përgjegjësinë e kujdestarisë ligjore. Caktohet një kujdestar ligjor dhe që e hartojnë një plan të mbrojtjes dhe menaxhimit të rastit bashkë me akterë të tjerë. Sigurisht ftohen edhe organizatat që ofrojnë shërbime të tilla sepse vendi jonë nuk ka strehimore shtetërore prandaj kërkon alternativë ku mund të strehohen fëmijët përkohësisht”, ka theksuar ajo.

Krasniqi ka thënë se fëmijët e tjerë të prindërve në Lipjan të arrestuar për keqtrajtimin e fëmijës 5-vjeçar po ashtu janë dërguar në familje strehuese.

“Aq sa kam informata fëmijët janë strehuar në ndonjë familje strehuese dhe sigurisht kjo është barrë për një familje strehuese apo kushdo që ofron shërbim të tillë për një kohë kaq të shkurt t’i marrë 6 fëmijë që vinë nga rrethana jashtëzakonisht kritike, me trauma”.


Hajrizi: Janë viktimë edhe prindërit e 5-vjeçarit që e keqtrajtuan

Sociologia Erisë Hajrizi ka thënë se në rastin e 5-vjeçarit në Lipjan ka dështuar çdo hallkë e jona si shoqëri. Sipas saj faji gjendet te secili, duke filluar nga fqinjtë e deri të institucioni më i lartë.

Në emisionin “Konfront” në KTV, Hajrizi ka potencuar se si viktimë në këtë rast mund të shihen edhe prindërit të cilët po të ishin në ndonjë vend tjetër më të zhvilluar, do të merreshin nën përkujdesjen e shtetit.

“Faji është tek të gjithë. Prindërit mund të shihen si viktimë sepse një person i cili ka çrregullime kudo në botë me zhvillim ekonomik e social, në momentin e parë i cili do të kishte parë një fëmijë të ngarkuar emocionalisht apo të keqtrajtuar, do të ishin ndërmarrë masa. Tek ne në shoqëri në shumicën e kohës normalizohet dhuna në familje, në diskursin pak më kulturor. Deri vonë tek ne si shoqëri është parë si e normalizuar dhuna tek fëmijët. Te prindërit në shumicën e kohës iu bëhet presion dhe insistohet që një nënë të jetë e aftë t’i rrisë fëmijët qoftë edhe në mënyrë të ashpër”, ka thënë Hajrizi.


Ahmeti-Pronaj tregon për gjendjen e rëndë në të cilën u pranua fëmija 5-vjeçar në QKUK

Adelina Ahmeti-Pronaj, psikiatre e fëmijëve në QKUK, ka treguar për gjendjen e rëndë në të cilën u pranua në QKUK fëmija 5-vjeçar nga Lipjani, i keqtrajtuar nga prindërit e tij. 

Ajo e ka quajtur të rëndë e të papërshkrueshme gjendjen shëndetësore të fëmijës. 

“Në bazë të informatave të kolegëve tanë gjendja e fëmijës në aspektin shëndetësor ka qenë skajshmërisht e rënduar, aq më pak në aspektin psikologjik. Sigurisht ka qenë shok për Klinikën e Pediatrisë, të gjithë stafin që i kanë ofruar ndihmë. Nuk kam koment, në aspektin e gjendjes shëndetësore si ka ardhur ai fëmijë ka qenë e papërshkueshme”, ka treguar ajo në Konfront. 

Ahmeti-Pronaj ka thënë se edhe fëmijët e tjerë të kësaj familjeje duhet të trajtohen, të paktën në aspektin psikologjik. 

5-vjeçari u dërgua në QKUK për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. QKUK-ja njoftoi se fëmija kishte edhe shenja të kequshqyerjes dhe se kishte vështirësi në komunikim. 

Të dy prindërit janë arrestuar të hënën, 16 mars.