Arbëri

Aktakuzë ndaj 5 zyrtarëve të ndërmarrjes “Ambienti”, për dy vjet i ndanë vetes bonuse

Prokuroria Themelore ne Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave zyrtarë me iniciale A.M., I.B., F.A., Sh.G. dhe N.A., për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Konflikti i interesit”, “Legalizimi i përmbajtjes se rreme” dhe “ Deklarimi i rremë nën betim”.

Sipas njoftimit ata janë zyrtarë të ndërmarrjes publike “Ambienti”. 

Sipas aktakuzës, të pandehurit si persona zyrtarë, nga vitit 2020 gjer në fund të vitit 2022, duke vepruar si bashkëkryerës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, kanë tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare.

“I pandehuri A.M si kryesues i Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike ‘Ambienti’ në Pejë, të pandehurit I.B., F.A., Sh.G., si anëtar të këtij bordi dhe i pandehuri N.B. si kryeshef ekzekutiv dhe anëtar i bordit të kësaj ndërmarrje, pa vendim të aksionarit dhe pa mbulesë ligjore vendosin t’i ndajnë vetit bonuse për secilin prej të akuzuarve”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, sipas aktakuzës e cila thuhet se ka 79 faqe, i pandehuri A.M., si kryesues i Bordit të drejtorëve akuzohet edhe për veprat penale “Legalizimi i përmbajtjes se rreme” , “Deklarimi i rremë nën betim” dhe veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga KPRK-së.

“I pandehur, N.A, akuzohet se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të “Ambienti” në Pejë duke punësuar me tepër se tetë (8) persona kundërligjshëm, duke kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar” dhe veprën penale “Konflikti i interesit”, nga KPRK-së”, thuhet në njoftim. 

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, thuhet se i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale me të cilat ngarkohen.