Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka shprehur shqetësime lidhur me gjykimet në mungesë për krime lufte, duke vlerësuar se këto procese nuk janë profesionale dhe nuk garantojnë barazi ndërmjet palëve.
Në një intervistë në “Interaktiv”, Alija theksoi se që nga mandati ekzekutiv i EULEX-it në vitin 2018, gjyqtarët dhe prokurorët vendorë kanë fituar përvojë në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës dhe ka pasur përparim në ngritjen e aktakuzave – afro 30 vetëm në dy vjetët e fundit. Por, ai mbetet kritik ndaj mënyrës së zbatimit të gjykimeve në mungesë.
“Gjykimet në mungesë nuk duken profesionale. Në asnjë rast mbrojtja nuk do të jetë efektive. Avokatët caktohen sipas detyrës zyrtare dhe ndoshta nuk kanë asnjë përvojë në raste të krimeve të luftës. Nuk munden me qenë palët e njëjta në procedurë”, ka thënë Alija.
Ai përmendi shembullin e Serbisë, e cila ka zhvilluar gjykime të tilla pas luftës, duke përfshirë edhe dënimin simbolik të ish-presidentit amerikan Bill Clinton, për të cilin tha se nuk ka prodhuar asnjë efekt real.
Sipas tij, proceset gjyqësore në mungesë nuk mund të përmbushin standardet e kërkuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke përmendur si sfida kryesore: mbrojtjen joefektive, mungesën e barazisë mes palëve dhe dobësinë procedurale.
Me ndryshimet ligjore të miratuara para dy vjetësh, Kosova ka mundësuar për herë të parë zhvillimin e gjykimeve në mungesë për krime lufte.