Mbeturinat e grumbulluara në hapësira publike dhe mungesa e mirëmbajtjes po i shqetësojnë banorët e kryeqytetit. Ata thonë se kundërmimi, ndotja dhe kushtet jo të mira higjienike po e rrezikojnë shëndetin e tyre dhe po e vështirësojnë lëvizjen e përditshme. Ata kanë kërkuar më shumë angazhim nga institucionet
Mbeturina jashtë kontejnerëve ka pothuajse në shumicën e vendeve ku janë të vendosura pikat e grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë.
Qytetarët ankohen për kundërmimin si pasojë e mospastrimit të rrugëve e trotuareve nga mbeturinat, por edhe për mosgrumbullimin e tyre me rregull.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo"Këto mbetje i marrin, por ajo që mbetet aty lihet. Ka shumë mbeturina. I kanë larguar disa prej tyre, sepse ka pasur kauçë dhe gjëra të tjera, por prapë na pengojnë. Nuk kemi çka të bëjmë. Jo vetëm ato te kontejnerët ku i hedhim mbeturinat", ka thënë Zarife Qerkini, banore.
Edhe nënkalimi, i cili gjendet afër shkollës "Dardania", kundërmon nga mbeturinat e aty çdo ditë kalojnë shumë fëmijë.
Bejtush Kiqmari e Ragim Hoxhaj, thonë se kjo gjendje është e dëmshme, për shkak të kundërmimit nga mbeturinat.
"Qarkullojmë çdo ditë këndej tri-katër herë. Është bërë shumë e padurueshme kjo gjendje. Në nivel të Kosovës na kanë mbuluar mbeturinat, por në këtë vend i vërejmë më shumë. Mundem me thanë se para tri javësh e ka pastruar dikush, ndoshta kompania e pastrimit, por menjëherë grumbullohen prapë. Është papërgjegjësi edhe e qytetarëve, por edhe e atyre që nuk po e mirëmbajnë siç duhet. Shumë e pashëndetshme. Vajza ime kalon këtu dy herë në ditë. Ka mbeturina, ndotje, jashtëqitje. Është tepër e dëmshme", ka thënë Kiqmari.
“Është një ambient që e frekuentoj çdo ditë. Është mjaft i neveritshëm. Përpos që kundërmon erë, është ambient edhe jo i pastër", ka shtuar Hoxhaj.
Probleme të këtij lloji ka edhe në lagje të tjera të Prishtinës.
Njëra prej tyre është në rrugën "Muhamet Çami", për të cilën banorët thonë se grumbullimi i mbeturinave bëhet shumë rrallë.
"Gjendja me mbeturina është edhe ashtu. Atje grumbullohen shumë, edhe këtu prapa rrugës, por problemi më i madh është në mbrëmje me vetura e motorë; aq shumë japin gaz sa fëmijët i zgjojnë nga gjumi. Nganjëherë edhe e pastrojnë, por rrallë", ka thënë banori i kësaj lagjeje, Sejdi Hajdini.
Hajdini i ka bërë thirrje komunës që të marrë masa.
Lidhur me këto shqetësime të qytetarëve, KOHA ka dërguar pyetje te drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, por të martën nuk ka marrë përgjigje.