Arbëri

Alijaj: Pas 31 janarit, Abdixhiku dhe kryesia e LDK-së do të jenë në dispozicion që të negociojnë me LVV-në

Artan Alijaj

Analisti politik, Artan Alijaj, ka thënë se më shumë do e preferonte një qeveri të dy të tretave, që nënkupton se Lëvizja Vetëvendosje të hynte në koalicion me ndonjë subjekt politik, duke aluduar në LDK-në.

Alijaj në emisionin “Interaktiv” në KTV, theksoi se në bazë të deklarimeve të fundit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai do të vazhdojë të jetë në krye të kësaj partie dhe se pas 31 janarit kur do të jetë mbledhja e Kuvendit të LDK-së, në të cilën Abdixhiku do të kërkojë votëbesimin, LDK-ja do të jetë në dispozicion që të negociojë me LVV-në për ndonjë bashkëpunim.

“Kurti mund të qeverisë edhe vetë por më e mirë do të ishte një qeveri e dy të tretave. Nëse e marrim për bazë postimin e fundit të Abdixhikut kur flet për manipulimet me votat në listat zgjedhore që ka ndodhur edhe në shkurt por që s’ka bërë asgjë, ai flet për hapat që do t’i marrin por flet i bindur se do të vazhdoj të qeverisë me LDK-në. Edhe pas deklarimeve të sotme shihet që disponimi është që ai të vazhdojë si kryetar. Në njëfarë forme pas 31 janarit, mbase edhe Abdixhiku dhe kryesia e partisë do të jetë në dispozicion që të negociojë me Lëvizjen Vetëvendosje për ndonjë bashkëpunim”, ka thënë Alijaj.

Tutje analisti Alijaj duke folur për manipulimin me votat, deklaroi se me të drejtë KQZ-ja ka shkarkuar të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në KKZ-në në Prizren. Sipas Alijajt, në tavolinën e numërimit janë anëtarët e të gjitha partive dhe pa konfirmimin e të gjithave nuk mund të manipulohet me votat.

“Një prej problemeve kryesore ka qenë që në të kaluarën në rastet e evidentuara nuk kanë qenë dënimet e mëdha. Edhe ato pak dënime më shumë kanë qenë simbolike sesa domethënëse. Nuk përjashtohet fakti që edhe degët e këtyre partive politike kanë qenë vetë organizatorët. Degët e partive politike vetë i propozojnë ata anëtarë. Në një tavolinë i ke përfaqësues nga secila parti politike dhe nëse të gjithë ata nuk janë në dakordancë që gjatë numërimit të ketë manipulim të votave të kandidatëve për deputetë, nuk mund të bëhet. Të gjithë ata pjesëmarrës në atë tavolinë numërimi është dashur të jenë pjesë e procesit prandaj me shumë të drejtë KQZ-ja i liroi nga detyra të gjithë përfaqësuesit e partive politike në Prizren”, ka thënë Alijaj në “Interaktiv” në KTV.

Në mbledhjen e së hënës, KQZ-ja vendosi për shkarkimin e përfaqësueseve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Nga rinumërimi i deritashëm Prizreni ka dalë komuna me mospërputhjet më të mëdha. Me rinumërimin e 98 për qind të kutive, rezulton se kandidatëve të PDK-së u janë shtuar rreth 19 mijë vota që nuk i kanë marrë nga qytetarët.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim po ashtu, që të rinumërohen të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit në vendvotimet e rregullta.