Arbëri

Ambasadori britanik: Liderët politikë t'i respektojnë vendimet e Kushtetueses

Jonathan Hargreaves

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, e ka quajtur thelbësore që Gjykata Kushtetuese të funksionojë e pavarur. Ai është takuar me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, të martën.

Ai ka theksuar se vendimet e Kushtetueses duhet të zbatohen nga udhëheqësit politikë. E në fillim të muajit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka hedhur akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes.

“Britania e Madhe pret që vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstitutimin e Kuvendit të respektohen dhe zbatohen nga liderët politikë me qëllim që t’i jepet fund ngërçit në të cilin Kosova ka ngecur për kohë të gjatë, në mënyrë që Kuvendi dhe një qeveri e re të mund të fillojnë punën në interes të popullit të Kosovës”, ka shkruar Hargreaves në X.

Akuzat kundër Kushtetueses erdhën pas vendimit të saj për masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.

Kurti ka thënë se me këtë vendim gjykata i ka lënë 120 deputetë të vegjetojnë për 24 ditë. Akuza pati bërë edhe ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca.