Nisja e bisedimeve mes liderëve partiakë pa u konstituuar kuvendi e formuar qeveria, sipas analistëve politik, mund të interpretohet si gatishmëri e Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion qeverisës. Sipas njohësve, ky është njëri nga dallimet mes negociatave që u mbajtën javën e shkuar, me ato të zhvilluara në pranverë
Gatishmëria për t’i negociuar të gjitha pozitat dhe interesimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike për të hyrë në koalicion, sipas analistëve, janë dy dallimet kryesore mes takimeve të liderëve partiak këtë javë dhe atyre të zhvilluara në pranverë.
Të premten kryeministri në detyrë Albin Kurti priti në takime të ndara Lumir Abdixhikun, kryetar i LDK-së bashkë me Vjosa Osmanin dhe kryetarin e PDK-së Bedri Hamzën, në periudhën kur ka filluar rrjedhja e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Sipas njohësit të zhvillimeve politike, Fitim Gashi, vetë nisja e bisedimeve pa u konstituuar kuvendi e formuar qeveria mund të interpretohet si gatishmëri e Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion qeverisës.
Sipas tij, kjo qasje mungoi nga partia e parë para zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Negociatat po shkojnë në atë drejtim që të bëhen kompromise në funksion të një partneriteti më afatgjatë, atëherë mund të themi që kemi hyrë në një fazë të re të dialogut politik që dallon nga ajo që kemi parë këto vitet e fundit. Pra nëse do të ketë më shumë seriozitet në negociata, këtë herë varet edhe nga fakti nëse do të insistoi Lëvizja Vetëvendosje vetëm në zgjidhje të pjesshme për çështjen e presidentit, jo në një marrëveshje më gjithëpërfshirëse me subjektet e tjera opozitare”, ka thënë Gashi.
Edhe
Heshtja e të pakënaqurve të LDK-së, “pasiguri” për marrëveshje me VV-në
Gashi thekson se kësaj radhe, edhe lideri i partisë së tretë është më i interesuar për të hyrë në një koalicion edhe për shkak të dinamikave brenda LDK-së.
“Abdixhiku po kërkon një marrëveshje që do t’i siguronte jo vetëm hyrjen në qeveri por edhe një pozicion më të favorshëm politik për veten dhe njerëzit e tij, pra që janë të përfshirë për rreth tij brenda LDK-së, përfshirë edhe ish-presidenten Vjosa Osmanin me të cilën ishte në takim me Kurtin”, ka thënë ai.
Takime Kurti-Abdixhiku dhe Kurti-Hamza pati edhe në pranverë të këtij viti, të cilat u zhvilluan për të zgjedhur presidentin e ri pas skadimit të mandatit të Vjosa Osmanit, por që nuk prodhuan rezultat. E për pasojë, vendi shkoi në zgjedhje më 7 qershor.
Por sipas analistit Arbnor Sadiku, ajo që duhet të lëvizë nga pozicioni i parazgjedhjeve është partia parë për shkak të rezultatit që ka marrë më 7 qershor.
Edhe
A e garanton zgjedhjen e presidentit një marrëveshje VV-LDK?
“Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të bënte një kompromis sa i përket pozitës së presidentit që me partitë e opozitës, me njërën prej tyre të gjejë kompromis që t’i takoi atyre. Nëse nuk i pëlqen PDK-ja, le ta bëjnë me LDK-në, por nëse as LDK-ja le ta bëjnë me Aleancën dhe pakicat. Por jo si parti më e madhe të mos gjejë mundësi të ofroi një kompromis të caktuar”, ka deklaruar Sadiku.
Deri më 7 gusht deputetët kanë kohë për të konstituuar kuvendin – që nënkupton zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve. E nga konstituimi fillon të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri. Gjatë kësaj periudhe, miratimin e deputetëve duhet ta marrë edhe ekzekutivi i ri.