Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Apeli e kthen në rigjykim rastin e Dërnjanit, tha se s’u vlerësua në mënyrë të plotë gjendja faktike

Murat Dernjani

Ish-pjesëtari i ISIS-it, Murat Dërnjani, do të rigjykohet për krime kundër njerëzimit në Siri dhe Irak. Gjykata e Apelit vlerësoi se Themelorja kur e dënoi atë me 20 vjet burgim nuk e vlerësoi në mënyrë të drejtë e të plotë gjendjen faktike të rastit.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim vendimin e Themelores, me të cilin e ka dënuar më 20 vjet burgim, Murat Dërnjanin i akuzuar për krime kundër njerëzimit, ndaj vajzave të komunitetit jazid në Siri dhe në Irak.

Themelorja e pati dënuar ish-pjesëtarin e organizatës terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), në korrik të vitit të kaluar, ku pati konstatuar se dëshmitë e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, përfshirë ato të lexuara kanë qenë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mirëpo, shkalla e dytë ka konstatuar se Themelorja nuk e vlerësoi në mënyrë të drejtë e të plotë gjendjen faktike të rastit.

“Rezulton se gjykata e shkallës së parë ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Speciale për leximin e deklaratave të dëshmitareve M.O.K, J.F.A.K, F.O.K.S, Z.B.F.K, A.S.H dhe Sh.B.L, të dhëna në fazën hetimore. Edhe pse mbrojtësi i viktimave e ka mbështetur këtë propozim, nga përmbajtja e procesverbalit nuk rezulton se ekziston pëlqim i qartë dhe i shprehur i mbrojtjes dhe i të akuzuarit për leximin e këtyre deklarimeve. Pavarësisht kësaj, gjykata e shkallës së parë ka vendosur për leximin e deklaratave pa dhënë arsyetim konkret lidhur me bazën ligjore mbi të cilën është mbështetur ky vendim procedural”, thuhet në vendim.

Dernjani akuzohej edhe për dhunë seksuale si dhe për skllavërimin e grave të komunitetit jazid.

Sipas Gjykatës së Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë asnjë arsye lidhur me rrethanat lehtësuese, me rastin e vendosjes lidhur me dënimin.

“Gykata e shkallës së parë, pa potencuar në vendimin e saj asnjë arsyetim nuk ka dhënë se pse nuk ka gjetur rrethana lehtësuese, pse në rastin konkret ekzistojnë vetëm rrethana rënduese me rastin e vendosjes për dënimin, kështu që sanksioni penal-dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit është në kundërshtim me rregullat e përgjithshme mbi matjen dhe caktimin e drejtë të dënimit. Duke i marrë parasysh këto rrethana, del se aktgjykimi i shkallës së parë është në kundërshtim me rregullat për matjen dhe shqiptimin e dënimit, të cilat rrethana është dashur që t’i vlerësoj gjykata e shkallës së parë e në kuadër të këtyre rrethanave është dashur që të jep arsye të duhur pasi që ato paraqesin fakte vendimtare e me rendësi për marrjen një vendi të drejtë dhe të ligjshëm përkitazi me larësin e dënimit të shqiptuar”, thuhet në vendimin e Apelit.

Prokuroria Speciale i ka ngritur aktakuzë Dernjanit edhe më herët. Ai e pati pranuar fajësinë për pjesëmarrje në grup terrorist.

Dernjani u ishte dorëzuar autoriteteve turke në gusht të 2017-s, pasi kishte dalë nga territori nën kontroll të ISIS-it, siç kishte njoftuar prokuroria me lejen e eprorëve të ISIS-it.