Dashuria e tij për gurët u shndërrua në rreptësi shkencore, e në studimet shqiptare la trashëgimi një vepër monumentale për trashëgiminë kulturore dhe arkitekturën tradicionale. Akademik Emin Riza, i cili vdiq të martën në moshën 89-vjeçare, me një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Shqipëri, ka dhënë një kontribut të spikatur në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale shqiptare
Arkitektura tradicionale shqiptare s’gjendet më e kompletuar në asnjë hulumtim a studim tjetër sesa në veprat e akademik Emin Rizës. Studiuesi i themeltë i krijimtarisë popullore në arkitekturë, profesor e restaurues, Emin Riza, vdiq të martën. Ai ishte 89 vjeç. Kontributi i tij në trashëgiminë kulturore shqiptare është zor i matshëm për nga përmbajtja, e po ashtu edhe në sasi. Vdekja e tij nga kolegë e udhëheqës institucionalë është parë si një prej humbjeve të mëdha për botën e trashëgimisë kulturore ndër shqiptarë.
Ai u lind më 3 korrik 1937 në Shkodër. Sipas biografisë së tij në Akademinë e Shkencave në Shqipëri, Riza, me një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ka dhënë një kontribut të spikatur në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale shqiptare. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Qyteti–Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor mbi trashëgiminë ndërtimore të Gjirokastrës, banesat karakteristike dhe vlerat e saj si qytet-muze, si edhe “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), monografi e botuar nga Akademia e Shkencave, e cila trajton tipologjinë e banesave popullore shqiptare me qoshk dhe vlerat e tyre arkitektonike.
Akademik Riza ishte autor i 16 monografive, pesë prej tyre në bashkautorësi, si edhe i 134 artikujve shkencorë të botuar në revista të specializuara, ndër to “Studia Albanica”, “Arkitektura popullore shqiptare” dhe “Monumentet”, ku trajtoi tipologjitë e banesave popullore, strukturat ndërtimore dhe trashëgiminë e qyteteve historike.
“Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave ‘Studia Albanica’ dhe ‘Monumentet’, duke nxitur botimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore shqiptare”, shkruhet në biografi. Akademik Riza, njëherësh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ishte nismëtar i Ligjit për trashëgiminë kulturore dhe kryesues i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n.
Shoqata e Arkitektëve e Shqipërisë i ka akorduar akademik Emin Rizës titullin e nderit “Mjeshtër në Arkitekturë” në shtator të vitit 2020, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm jetësor në studimin, dokumentimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë arkitekturore shqiptare.
Edhe
Akademik Rexhep Qosja përkujtohet si erudit i tejkohshëm
I diplomuar si inxhinier ndërtimi në Fakultetin e Inxhinierisë në vitin 1962, rruga e tij kërkimore nisi në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, për të vijuar për dekada me radhë në Institutin e Monumenteve të Kulturës si specialist, udhëheqës sektori, nëndrejtor dhe drejtor (1988–1993). Akademik Emin Riza mbajti detyra të larta akademike e shkencore e administrative gjatë karrierës së tij. Ishte sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u zgjodh akademik i asociuar më 2008 dhe mori titullin akademik më 2011.
Sipas kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Riza qe një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale.
“Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, akademik Emin Riza u nderua me titullin ‘Qytetar Nderi’ i Gjirokastrës dhe i Beratit. Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Komisioni i Përhershëm i Trashëgimisë Kulturore i shprehin familjes, miqve, komunitetit akademik dhe bashkëpunëtorëve ndër vite të akademik Emin Rizës ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe njerëzore dhe shkencore”, shkruhet në njoftimin e kryesisë.
Nëpërmjet një telegrami ngushëllimi, kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka shkruar se akademik Emin Riza, në gjithë shekullin e tij të punës, ka vepruar në fushën e restaurimit, të mbrojtjes e rivitalizimit të arkitekturës tradicionale në të gjitha hapësirat shqiptare, duke u bërë kështu një nga emrat më të shquar të kësaj fushe studimesh.
“Angazhime të veçanta ka shfaqur në punën e grupit që bëri gati dosjen e UNESCO-s për Gjirokastrën dhe Beratin. Ka bërë emër ndërkombëtarisht të njohur në fushën e studimit dhe restaurimit të monumenteve në hapësirat shqiptare dhe, në përgjithësi, për çka veproi gjatë si ekspert i njohur i UNESCO-s”, shkruhet në telegram. Aty përmendet se në Kosovë, Riza ka lënë dy vepra me vlerë të madhe shkencore, monografinë “Banesa qytetare kosovare e shek. XVIII-XIX” (ASHAK, 2006), bashkë me Njazi Halitin, dhe “Arkitektura popullore e Gjakovës” (ASHAK, 2017).
Edhe
Guri i rëndë
“Monografitë e tij të shumta për arkitekturën e qyteteve shqiptare janë punuar me metodologji e mbështetje në kritere e procedura rigoroze shkencore. Monumentet, arkitekturën e qyteteve dhe arkitekturën popullore Emin Riza i vështronte në një kontekst më të gjerë funksional, në raport me rrethanat shoqërore të kohës kur janë krijuar”, shkruhet në telegram.
Kurse Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës në Tiranë, nëpërmjet një përkujtimi të profesorit Riza, ka veçuar se ndihmesa e tij për disiplinën e restaurimit dhe historinë e arkitekturës shqiptare përbën një bazë thelbësore edhe për edukimin e brezave të rinj të arkitektëve e restauratorëve.
“Përkushtimi, rreptësia shkencore dhe dashuria e tij për gurët, strukturat dhe memorien hapësinore të shqiptarëve do të mbeten shembull frymëzimi për të gjithë komunitetin e arkitektëve, studiuesve dhe pedagogëve tanë”, shkruhet në përkujtimin që i ka bërë ky institucion Rizës.
Riza, i biri i gjuhëtarit me nam e akademikut nga Kosova, Selman Riza, për kolegët akademikë ngelet një prej intelektualëve të rrallë.
Edhe
Rexhep Qosja – njeriu i fjalës që i trazoi të gjithë
“Emin Riza ka qenë studiues i trashëgimisë kulturore shqiptare. Ka kontribut të madh për përshkrimin e shtëpive tradicionale qytetare. Ka qenë i biri i njërit ndër gjuhëtarët dhe, përgjithësisht, intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohëve, Selman Rizës”, ka thënë akademik Bardh Rugova.
Nëpërmjet rrjeteve sociale, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Riza qe një nga akademikët më të shquar në fushat e studimit të arkitekturës tradicionale dhe trashëgimisë kulturore.
“Për shumë breza studentësh, studiuesish dhe profesionistësh të fushave të trashëgimisë kulturore, Emin Riza ishte profesor dhe mentor, udhërrëfyes dhe burim i pashtershëm i dijes së thellë, integritetit profesional, përkushtimit total dhe punës së palodhshme e konsistente. Akademik Emin Riza do të kujtohet bashkë me veprën e tij të shkruar dhe me vetë trashëgiminë e punës së tij brenda institucioneve publike në Shqipëri dhe në Kosovë”, ka shkruar Kurti.
Sipas njoftimit të ASHSH-së, varrimi i akademik Rizës është bërë të martën në varrezat e Tufinës.