Sipas raportit financiar të audituar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Lëvizjen Vetëvendosje, të hyrat e kësaj partie më 2024 ishin 2,337,168 kurse shpenzimet ishin 1,805,296.
Auditori ka gjetur se ka pasur mungesë të dokumentacionit të rregullt në disa raste të shpenzimeve nga LVV. Në raport thuhet se për disa raste të blerjeve të shpenzimeve, Vetëvendosje ka pranuar vetëm kupona fiskal dhe nuk ka dokumentacion relevant mbështetës që do të mund të arsyetonin shpenzimet e ndodhura.
“Gjithashtu është vërejtur se ka raste kur faturat e shpenzimeve nuk janë të lëshuara në emër të subjektit politik, por në emër të anëtarëve apo menaxhmentit. Kjo praktikë bie ndesh me kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi, të cilat kërkojnë që shpenzimet e subjektit politik të jenë të dokumentuara me fatura të rregullta dhe të lëshuara në emër të vetë subjektit”, thuhet në raport.
Po ashtu, u gjet se LVV nuk ka deponuar të hyra nga anëtarësimet në llogarinë bankare.
“Gjatë shqyrtimit financiar u konstatua se në vitin 2024, subjekti politik ka pranuar 493.50 euro nga anëtarësimet në para të gatshme, të cilat nuk janë derdhur në llogarinë bankare. Edhe pse kjo shumë përfaqëson vetëm 0.03% të të hyrave të përgjithshme, veprimi bie ndesh me kërkesat e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 08/L-122, me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058 si dhe Rregullorja Nr. 06/2024 për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen Financiare të Subjekteve Politike, që obligojnë subjektet politike të kryejnë të gjitha transaksionet përmes llogarisë së vetme bankare dhe të deponojnë të hyrat në para të gatshme brenda 5 ditësh nga pranimi”.
