Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Azemi: Qeveria po i dëmton qytetarët me papërgjegjësi dhe mungesë veprimi

Visar Azemi

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka akuzuar Qeverinë për papërgjegjësi dhe papjekuri në përballjen me rritjen e çmimeve, duke thënë se dëmin më të madh po e pësojnë qytetarët dhe ekonomia e vendit.

Sipas tij, rritja e çmimit të naftës po krijon efekt zinxhir në të gjitha produktet dhe shërbimet, përfshirë transportin dhe ushqimet bazike si buka. Azemi u shpreh se Qeveria po pret që situata të përkeqësohet para se të ndërhyjnë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ne kemi kërkuar me e mbrojt qytetarin, kur ai s’mund të mbrohet vetë, sidomos në këto kriza. Nafta përbën efekt zinxhir edhe në produktet e tjera. Por papërgjegjësi totale nga pushteti, e patë pas pauzës nuk erdhën fare në seancë. Këta po presin me degradu gjithçka e pastaj me shiku a me ndërhy. Është qasje e papërgjegjësisë dhe e papjekurisë. Dëmit më të madh po ia bën qytetarëve dhe ekonomisë së vendit”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

LDK-ja ka propozuar uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë – bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Azemi theksoi se LDK-ja ka kërkuar ndërhyrje për mbrojtjen e qytetarëve në kohë krize, por mbetet kundër ndërhyrjeve që cenojnë ekonominë e lirë të tregut, si vendosja e çmimeve tavan, të cilat sipas tij nuk sjellin përfitime reale për qytetarët. Ai shtoi se Qeveria po synon të mos humbasë të hyra për shtetin, ndërsa barrën po ua lë qytetarëve, duke e cilësuar këtë qasje si të gabuar.

“LDK-ja nuk merr pjesë në diskutime që prekin ekonominë e lirë të tregut. Atë e dikton konkurrenca. Prandaj kemi qenë edhe kundër çmimeve tavan dhe besojmë që nuk do të sjellin leverdi të mëdha për qytetarët. Nuk e di çfarë synime kanë, nuk po bëjnë të qartë asgjë. Synimin e vetëm që po e bëjnë të qartë është që shteti s’duan me hup, por sipas tyre, duan të hupin qytetarët. Ne duhet të përballemi me kostot e rritura, por jo shteti. Qytetarët bën, por jo shteti. Kjo është logjikë e mbrapsht”, deklaroi Azemi.

Në fund, Azemi, i cili ishte i pari që e adresoi çështjen e njehsorëve elektrikë të KEDS-it, ka thënë se përbën një skemë të organizuar për mashtrim dhe manipulim, duke kërkuar që mjetet e inkasuara gabimisht t’u kthehen qytetarëve.