Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti se po emëron zëvendësministra pa nevojë, vetëm për t’u siguruar paga nga buxheti i shtetit.
Sipas saj, në një kohë kur Qeveria është në dorëheqje dhe me kompetenca të kufizuara, emërimet e reja janë të pajustifikueshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kur një qeveri është në dorëheqje, ministrat kanë kompetenca të kufizuara dhe nuk punojnë me kapacitet të plotë. Pikërisht në këtë situatë Kurti po emëron zëvendësministra. Jo për punë, sepse s’ka punë dhe as ndonjë nevojë urgjente, por që të marrin pagë nga buxheti pa bërë asgjë”, ka shkruar Bajrami.
Ajo e ka cilësuar këtë veprim si “zhvatje të buxhetit” dhe “abuzim me pozitën zyrtare”, duke shtuar se dëmi nuk kufizohet vetëm te shpenzimet aktuale.
“Dëmi është edhe te standardi që po vendoset, duke e trajtuar shtetin si pronë partiake dhe si mjet për shpërblimin e militantëve. Këto standarde të ulëta do t’i kushtojnë gjatë këtij vendi”, është shprehur ajo.
Në fund, Bajrami i ka bërë thirrje Qeverisë që të largohet nga pushteti, duke theksuar se, sipas saj, “është koha të shkoni në opozitë, pasi e keni gërryer shtetin”.
Gjatë ditës së djeshme, Zyra e kryeministrit njoftoi për emërimin e tre zëvendësministrave. Kritika për këtë pati edhe nga sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.