Bllokada e shkaktuar nga moskonstituimi i Kuvendit po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura. Pa bordet e emëruara dhe pa kuorum vendimmarrës, shumë agjenci dhe autoritete rregullative nuk do të mund të marrin vendime për sektorë të ndryshëm, përfshirë pronën e shërbimet publike. Njohës të zhvillimeve thonë se mosveprimi i politikanëve për ta konstituuar Kuvendin rrezikon të çojë në krizë, e cila ka pasoja për stabilitetin dhe sundimin e ligjit
Ngërçi politik nga moskonstituimi i Kuvendit po kërcënon funksionimin e institucioneve të pavarura që i raportojnë direkt Legjislativit. Në mungesë të konstituimit, Kuvendi nuk është në gjendje të emërojë anëtarët e bordeve duke i lënë një numër agjencish e autoritetesh rregullative pa kuorum vendimmarrës.
Që nga 5 gushti vendime nuk mund të marrë as Agjencia Kosovare e Privatizimit, pasi gjashtë prej tetë anëtarëve të bordit u ka skaduar mandati.
“AKP ka rol mbikëqyrjen dhe vendimmarrjen. Vendimmarrja nuk mund të bëhet pa kuorum dhe prej 5 gushtit nuk e kemi”, ka thënë Mentor Hyseni, kryesues i Bordit të AKP-së.
AKP së fundi ka publikuar listat përfundimtare të punëtorëve për 33 ndërmarrje shoqërore me numër të punëtorëve përfitues 141, ndërkaq, sipas Rregullores së UNMIK-ut 2003/13, që e rregullon çështjen e 20-përqindëshit, nuk mund të bëhet shpërndarja e parakohshme pa e pasur konfirmimin e numrit të ankesave nga Gjykata. Për listat e punëtorëve për 10 ndërmarrje shoqërore kanë ardhur konfirmimet nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e Kosovës (DHPGJSK) për numrin e ankesave të punëtorëve ndaj listave përfundimtare dhe për rrjedhojë AKP-ja ka realizuar shpërndarjen e 20-përqindëshit për punëtorët legjitimë të këtyre 10 ndërmarrjeve. Ndërkohë AKP-ja pret konfirmimet nga DHPGJSK edhe për listat e punëtorëve të 23 ndërmarrjeve shoqërore për numrin e ankesave te dorëzuara.
“Posa të vijnë konfirmimet AKP-ja, sipas procedurave ligjore, do të vazhdojë me shpërndarjet e 20-përqindëshit edhe për punëtorët e këtyre 23 ndërmarrjeve shoqërore”.
Një nga pasojat e mungesës së bordit është pamundësia e vendimmarrjes për transferimin e aseteve tek pjesa e mbetur.
“Autoriteti i likuidimit i shqyrton ato, kontrata është edhe tre vjet, nuk është se jemi pa autoritet likuidimi. Por vendimmarrja, sikurse transformimi i aseteve, na paraqet problem”, ka thënë Hyseni.
Ndërkaq prej muajsh pa bord funksional ka mbetur Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), duke e lënë sektorin e mediave audiovizuale pa mbikëqyrje efektive, në kohën kur vendi përballet me fushata të ashpra dezinformuese. Në mungesë të pesë anëtarëve, KPM-ja mbetet jofunksionale.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) lista e institucioneve të rrezikuara është e gjatë dhe përfshin Gjykatën Kushtetuese, Organin Shqyrtues të Prokurimit, Institucionin e Avokatit të Popullit, Këshillin Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil, Komisionin e Pavarur të Medieve, Autoritetin e Konkurrencës, Autoritetin Rregullativ për Komunikime Elektronike e Postare, si dhe një varg bordesh në sektorët e mjedisit, energjisë, ujit dhe transportit. Shumë prej tyre tashmë janë jofunksionale për shkak të mungesës së anëtarëve, ndërsa të tjera rrezikojnë të shterojnë mandatet brenda muajve të ardhshëm.
“Mosefikasiteti dhe dështimi për t’i emëruar anëtarët në këto organe në kohë është bartur në legjislaturën IX, e cila nuk është duke u konstituuar që nga data 15 prill 2025, duke e bllokuar kështu tërësisht funksionimin kushtetues dhe ligjor të institucioneve që përbërjet e tyre varen nga vota e Kuvendit. Pasojat e moskonstituimit janë tashmë të dukshme në mosfunksionimin e disa organeve dhe do të bëhen edhe më të qarta në muajt e ardhshëm, për shkak të skadimit të mandateve të tjera”, ka theksuar Naim Jakaj.
Po ashtu disa mandate janë në përfundim e sipër brenda këtij viti. Avokatit të Popullit do t’i përfundojë mandati më 28 shtator derisa katër zëvendësavokatëve të Popullit u ka përfunduar mandati më 14 qershor. Pesëmbëdhjetë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës pritet t’u skadojë mandati në nëntor të këtij viti.
Gjykata Kushtetuese rrezikon të mbetet pa kuorum në rast të dorëheqjes ose shkarkimit të ndonjërit prej gjyqtarëve. Aktualisht Kushtetuesja i ka shtatë gjyqtarë aktivë dhe largimi eventual i ndonjëri prej tyre do ta pamundësonte kuorumin në vendimmarrje.
E njëri prej gjyqtarëve të këtij institucioni u bë shkak që presidentja ta tërheqë kërkesën rreth konstituimit të Kuvendit, me arsyen se Radomir Laban paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.
Që nga fundi i 2024-ës, Kushtetuesja mbeti pa dy gjyqtarë, pasi iu skadoi mandati Gresa Caka-Nimanit (kryetare) dhe gjyqtares Selvete Gërxhaliu-Krasniqi.
Naim Jakaj ka thënë se gjatë legjislaturës VIII të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pasur ngecje serioze në procesin e emërimit të organeve kolegjiale dhe individuale që Kuvendi ka për detyrë t’i emërojë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të veçanta.
“Gjatë kësaj periudhe, me dhjetëra institucione janë bërë jofunksionale ose kanë mbetur me mungesë të anëtarëve përkatës, si pasojë e mosveprimit të Kuvendit dhe vonesave të Qeverisë për propozimin e tyre”, ka thënë ai.
Kuvendi, edhe pse në disa raste ka zbatuar me përpikëri procedurat e parapara, sipas Jakajt, në fund ka dështuar që këto emërime të bëhen me kohë dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore.
“Si pasojë, këto organe mbetën pa anëtarë. Në të njëjtën kohë, Qeveria nuk tregoi kujdes për të bërë propozimet brenda afateve të parapara dhe për të garantuar që këto pozita të mos mbushen me persona me lidhje politike apo partiake. Përgjegjësia kryesore për këtë situatë i takon shumicës parlamentare të legjislaturës së kaluar e cila, ndonëse kishte fuqinë për t’i realizuar këto emërime, zgjodhi të mos veprojë, duke lënë pas dore dhe neglizhuar obligimet kushtetuese dhe ligjore”, ka potencuar ai.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se subjektet politike duhet të reflektojnë karshi situatës që po krijohet si pasojë e ngërçit në Kuvend.
“Është jashtëzakonisht keq dështimi total i të zgjedhurve të popullit fillimisht me e konstituu vetveten, pastaj natyrisht edhe me i zgjedhë mekanizma të tillë. Kemi parasysh faktin që për shembull, për momentin që m’u kujtua është Komisioni i Pavarur për Media, i cili tash e sa kohë është pa mundësi vendimmarrjeje”, ka thënë Bajraktari. “Në ditët dhe javët në vazhdim, natyrisht që ky numër i këtyre mekanizmave, të cilët i përgjigjen Kuvendit vetëm sa do të shtohet, që natyrisht e bën të nevojshëm dhe të domosdoshëm që sa më parë të kemi reflektim nga ana e përfaqësuesve të subjekteve politike në përgjithësi, e subjektit politik fitues në veçanti në drejtim të konstituimit sa më parë dhe themelimit të institucioneve, rrjedhimisht kthimit në normalitet të situatës politike për çka natyrisht që deri më tash nuk kemi parë ndonjë diskurs në horizont që mund të kemi një gjë të tillë”.
Seanca konstituive pritet të vazhdojë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të aktgjykimit, i cili kërkon që deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve.