Arbëri

Bordi i ZRRE-së cakton KEK-un si furnizues fundor për 6 muaj

zrre

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka mbajtur seancë të mërkurën, ku ka caktuar KEK-un si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhë 6-mujore, nga 31.08.2025 deri më 31.01.2026. Paraprakisht, KEK-u ishte caktuar si furnizues fundor për dy muaj. 

Në njoftimin e lëshuar nga ZRRE thuhet se Bordi ka lëshuar disa autorizime. 

“Sa i përket gjenerimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, Bordi i ZRRE-së ka lëshuar autorizimin për shoqërinë ‘SVB’ sh.p.k  si dhe ka aprovuar kërkesat e ‘Vita Energy’ sh.p.k dhe ‘VBS’ sh.p.k për shtyrje të autorizimit. Po ashtu, janë aprovuar kërkesat e ‘Infinit Power Solutions’ sh.p.k, nr. i licencës ZRRE/Li_94/23 dhe ZRRE/Li_95/23 si dhe Air Energy sh.p.k, nr. i licencës ZRRE/Li_62/19, për ndryshim në kontroll të të licencuarit”.

Në këtë seancë janë shqyrtuar dhe aprovuar kërkesat e 13 subjekteve juridike, ku përfshihet edhe një kërkesë për modifikim, dhe 14 personave fizikë për marrje të autorizimit për vetë-konsum, me kapacitet total të instaluar prej 1211 kW, thuhet tutje në njoftim. 

Bordi ka shqyrtuar edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.