Arbëri

Clarku tregon për mospajtimet mes amerikanëve e francezëve për veriun

Wesley Clark

Ish-komandanti i NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark, gjatë dëshmisë në Hagë ka treguar për dallimet që kishte mes amerikanëve dhe francezëve për veriun e Kosovës. 

Clark ka treguar se kishte shkuar të takonte ministrin e Jashtëm të Francës atëkohë dhe ministrin e Mbrojtjes, për të biseduar për këtë çështje. 

“Jam ankuar, sepse ishte përpjekje e organizuar e serbëve për ta spastruar zonën në veri të lumit Ibër. Kam takuar ministrin Alain Richard që më tha, ‘jo ne u kemi dhënë urdhër trupave franceze t’i mbrojnë serbët në atë zonë, t’i mbështesin ata’. Kemi pasur disa vështirësi lidhur me këtë. Por, kjo është mënyra se si funksionojnë trupat e NATO-s. Ka lloj autoriteti e pushteti që i përket vet autoriteteve kombëtare, edhe pse janë nën kontrollin e komandës së NATO-s”, ka thënë Clark. 

Ai tregon se ministrit francez Richard i kishte bërë thirrje për t’i ndryshuar urdhra, porse nuk i ndryshoi urdhrat. 

“Më vonë kam çuar përforcime tjera atje, për ta ruajtur mundësinë që shqiptarët të mund të jetojnë atje. Raporti që po merrja tregonte se doktorët shqiptarë në spitale dhe njerëzit tjerë po detyroheshin të largoheshin e po dëboheshin nga aty. Mendova dhe e kuptova se ishin paraushtarakë serbë dhe forcat speciale serbe që po e bënin këtë. Kjo është mënyra se si Beogradi vepronte”, tha Clark. 

Clark po dëshmon në Hagë, si dëshmitar i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai është dëshmitari i fundit i mbrojtjes. 



 

Lexo përditësimet tjera
Wesley Clark

LIVE: Clarku nis dëshminë në Hagë

Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, po dëshmon në Hagë në çështjen...