Arbëri

Demolohet shkolla në Mirash të Ferizajt, vidhen pajisje elektronike

Dy persona të maskuar të hënën kanë thyer e demoluar objektin e shkollës fillore “Ali Hadri” në fshatin Mirash të Komunës së Ferizajt. Kjo shkollë që numëron gjithsejtë 219 nxënës kishte qenë cak i vjedhjeve të pajisjeve elektronike, monitorëve, kompjuterëve e gjërave të tjera. Po ashtu janë vjedhur edhe pajisje të ndryshme të punës të mirëmbajtësve të shkollës.

Policia e Kosovës është njoftuar menjëherë për këtë çështje dhe po vazhdojnë hetimet. I gjithë objekti i shkollës ishte nën vëzhgimin e kamerave, ndërkohë KOHA ka siguruar një sekuencë derisa dy persona të maskuar shihen duke e thyer derën e drejtorit të kësaj shkolle, Ymri Hashani. KOHA ka kontaktuar me drejtorin Hashani i cili ka treguar se dy persona kishin qenë të përgatitur me mjete të forta për ta thyer derën e blinduar të zyrës së tij.

“Është shumë shqetësuese sepse nuk e kemi menduar se shkolla mund të jetë cak i vjedhjeve. Policia është duke u merr me rastin për të kapur ndonjë gjurmë të tyre”, ka thënë Hashani.

Ndërkohë menaxhmenti i shkollës nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se çfarë ka ndodhur me objektin e tyre.

“Të hënën në mëngjes e kemi gjetur shkollën e vjedhur, të thyer e të demoluar. I kemi njoftuar menjëherë policinë dhe DKA-në, policia për pak minuta kanë ardhur në shkollë, më pas kanë arritur edhe ekipi i Forenzikës dhe hetuesisë të cilët kanë grumbulluar të gjitha provat e nevojshme dhe janë duke punuar për ta zbardh sa ma shpejtë rastin. Kemi shikuar kamerat e sigurisë në shkollë. Në kamera shihen dy hajna, dy keqbërës të maskuar që janë futur në shkollë të premten me 24.03.2023 në ora 22:30h”, thuhet në njoftimin e shkollës.

Sipas tyre, në fillim në sallën e mësimdhënësve hajnat kanë hapur me forcë dollapët e mësimdhënësve për të marrë disa gjëra.

“Më pas thyejnë ( hapin me forcë) dyert e zyrës se drejtorit, bibliotekës dhe dy klasave që ishin të mbyllur me çelës. Kanë vjedhur kanë thyer e kanë demoluar shkollën. Nuk e kam menduar asnjëherë se cak i hajnave mund të jetë shkolla. Shkolla është tempull i diturisë, duhet të ndihmohet nga të gjithë që të bëjmë kushte më të mira për mësim për fëmijët tanë, nxënësit tanë”, thuhet më tej në njoftimin e shkollës.

Ndërkaq, Policia në Ferizaj, ka thënë se është duke e hetuar rastin.

“Jemi duke u marrë me këtë rast dhe po besoj se shumë shpejtë do të zbardhet sepse të dyshuarit mund të jenë ndoshta edhe nxënës por ndoshta edhe banor të fshatit. Sidoqoftë ne jemi duke grumbulluar informacione lidhur me këtë çështje sepse kemi pasur raste edhe në shkolla të tjera kur persona të maskuar kanë thyer objektet e shkollave por ndërkohë i kemi zbuluar ata”, ka thënë ky burim.

{gallery}