Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deponia në flakë, duhej të mbyllej më 2007

Deponia - Sferke

Foto: Forca e Sigurisë së Kosovë - Facebook

Deponia në Sferkë të Pejës e planifikuar të funksiononte vetëm pesë vjet dhe të mbyllej më 2007, vazhdon të jetë aktive. Pas zjarrit në të që prej ditësh nuk është shuar, ekspertët paralajmërojnë për rreziqe serioze për shëndetin publik dhe bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente. Nga Komuna e Pejës akuzojnë nivelin qendror se nuk ndihmoi në mbylljen e deponisë më 2022

Pas zjarrit në deponinë e Sferkës, i cili as në ditën e nëntë nuk është shuar, është ngritur shqetësimi nga ekspertët për ndikimin e ndotjes në shëndetin e qytetarëve.

Kjo deponi e hapur në vitin 2002, ishte planifikuar të kishte jetëgjatësi vetëm pesë vjet, por edhe tash më 2006 vazhdon të jetë në dispozicion për grumbullimin e mbeturinave të komunave të rajonit të Pejës.

Problemi i ndotjes nga kjo deponi u përkeqësua kur para nëntë ditësh u përfshi nga zjarri, gjë për të cilën po protestojnë edhe banorët e fshatrave përreth.

Ekologu Zeqir Veselaj gjendjen e krijuar e quan fatkeqësi mjedisore dhe alarm për shëndetin publik.

“Po, vetë aromat që ne i ndiejmë prej mbeturinave, prej kontejnerëve afër vendbanimeve tona, janë aroma që vijnë nga ai konglomerat i substancave ndotëse që ndodhen në ato mbeturina dhe të cilat pastaj hyjnë në reaksione kimike njëra me tjetrën, disa duke u bërë edhe më të dëmshme. Por, kur ato marrin zjarr, atëherë është shkalla më e lartë e ndikimit të tyre në cilësinë e ajrit, të cilin qytetarët e thithin, që është ndikim i drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre”, ka thënë Veselaj. “Është një konglomerat i madh i substancave ndotëse, shumica e të cilave kanë pasoja të drejtpërdrejta në organet e frymëmarrjes, por ka edhe substanca toksike të llojeve të ndryshme, si dioksinat dhe të tjera, të cilat lirohen”.

Edhe Zjarri në deponinë e Sferkës nuk shuhet as pas të reshurave Arbëri 1 d. më parë Zjarri në deponinë e Sferkës nuk shuhet as pas të reshurave

Sipas tij, situata është shumë shqetësuese dhe nga kjo ndotje pësojnë edhe prodhimet bujqësore e blegtorale.

Veselaj thekson se duhet të mendohet për një zgjidhje sistematike të menaxhimit të mbeturinave, pasi në vendet e BE-së deponia konsiderohet zgjidhja e fundit, kurse në Kosovë e para dhe e vetmja.

“Por menjëherë, për këtë situatë, masa afatshkurtër dhe urgjente është që ai zjarr duhet të shuhet, në mënyrë që të mos dëmtohet më tej shëndeti publik i qytetarëve. Qytetari nuk ka kohë të merret me përgjegjësinë se kush e ka fajin, sepse ai po i vuan pasojat e drejtpërdrejta”, ka theksuar Veselaj.

Ai tha se institucionet, në të gjitha nivelet janë treguar neglizhente ndaj kësaj situate.

KOHA ka dërguar pyetje në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për rrezikun potencial të këtij zjarri, por nuk ka marrë përgjigje të mërkurën.

E nga Komuna e Pejës kanë bërë të ditur se inspektorët e saj kanë marrë mostra në terren për vlerësimin e ndotjes e po ashtu edhe disa masa.

“Inspektorët komunalë kanë kryer inspektime në terren, gjatë të cilave janë evidentuar problemet që lidhen me ndotjen dhe rrezikun e zjarreve. Për këto gjetje janë hartuar raportet përkatëse dhe janë ndërmarrë veprimet në kompetencë të komunës. Komuna ka përgatitur një plan afatshkurtër për parandalimin e zjarreve dhe kufizimin e ndotjes së mëtejshme në deponi, duke përfshirë monitorimin e vazhdueshëm të zonës, koordinimin me shërbimet emergjente dhe ndërhyrjet sipas nevojës”, ka thënë Valmir Deçani, zëdhënës i Komunës së Pejës.

Ai ka theksuar se deponia e Sferkës ka vazhduar të funksionojë, pasi mbyllja e saj ka qenë financiarisht e papërballueshme për komunën.

Sipas tij, në vitin 2022 Komuna e Pejës ka planifikuar rreth 3 milionë euro për mbylljen e deponisë në Sferkë dhe hapjen e një deponie të re, ndërsa Bashkimi Evropian ishte zotuar të mbështeste projektin me 9 milionë euro. Megjithatë, siç tha, projekti nuk ka avancuar për shkak të mungesës së financimit nga niveli qendror.

Edhe FSK-ja zbarkon në Sferkë, po punon për izolimin e vatrës së zjarrit Arbëri 3 o. më parë FSK-ja zbarkon në Sferkë, po punon për izolimin e vatrës së zjarrit

Nga Ministria e Mjedisit nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me pretendimet e Komunës së Pejës.

E, reshjet e tri ditëve të fundit nuk e kanë shuar zjarrin në deponi.

Banorët e fshatrave përreth kanë vazhduar protestën, duke shprehur shqetësimin për ndotjen e shkaktuar. Ata kanë thënë se duhet të shtohen ekipet emergjente dhe u kanë bërë thirrje institucioneve të ndërmarrin veprime sa më të shpejta.

E të mërkurën është angazhuar Forca e Sigurisë se Kosovës (FSK), për ndërhyrje në fshatin Sferkë.

“Pas pranimit të kërkesës nga Qendra e Situatave e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, lidhur me shpërthimin dhe përhapjen e zjarrit me përmasa të mëdha në deponinë e mbeturinave në fshatin Sferkë të Komunës së Pejës, Qendra Operative e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë vlerësimin e menjëhershëm të rrezikut dhe kapaciteteve reaguese për këtë sfidë. Pas analizës përkatëse, me urdhër të komandantit të FSK-sëgjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë mobilizuar dhe kanë zbarkuar në terren njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare me kapacitetet e saj për intervenim në këtë situatë”, thuhet në një njoftim të FSK-së. “Operacioni ka filluar menjëherë me qëllim izolimin e vatrës së zjarrit, parandalimin e ndotjes toksike mjedisore dhe evitimin e efekteve zinxhirore ndaj shëndetit publik të qytetarëve”.

FSK-ja ka bërë të ditur se njësitë e saj po punojnë në koordinim të ngushtë me autoritetet qendrore, lokale, shërbimet e emergjencave civile dhe popullatën lokale për të kthyer situatën në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme.

Ndërkaq, pas zjarrit, Prokuroria ka autorizuar policinë për të zhvilluar hetime.

“Gjatë ditës së sotme, prokurori i shtetit ka kërkuar që në Prokurorinë Themelore në Pejë të dorëzohen edhe gjetjet e inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit, të cilët janë angazhuar për vlerësimin e ndotjes së mjedisit të shkaktuar nga zjarri, ndotje e cila ka prekur fshatrat përreth dhe qytetin e Pejës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Edhe Prokuroria: Do të ketë arrestime nëse vërtetohet se zjarri në Sferkë u shkaktua nga njerëzit Arbëri 1 d. më parë Prokuroria: Do të ketë arrestime nëse vërtetohet se zjarri në Sferkë u shkaktua nga njerëzit

Si pasojë e tymit të shkaktuar nga zjarri, një nga protestuesit është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa disa të tjerë kanë marrë trajtim në vendin e ngjarjes.

Pasi deponia ka marrë flakë, janë shkëmbyer akuza mes pushtetit e opozitës për situatën në të. LDK-ja ka fajësuar Ministrinë e Mjedisit, ndërsa ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, ka thënë se deponia menaxhohet nga Komuna e Pejës, të cilën e drejton LDK-ja.