Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

"Ibër-Lepenci" u kërkon banorëve te Ujmani të dorëzojnë dëshmi të pronësisë, brenda 7 dite

Ujman

Foto: KOHA

Ndërmarrja Hidroekonomike "Ibër-Lepenc" u ka kërkuar zyrtarisht banorëve të zonës kadastrale në afërsi të Liqenit të Ujmanit, që brenda shtatë ditësh ta dorëzojnë dokumentacionin që dëshmon pronësinë mbi tokat dhe objektet e tyre.

Në dokumentin, të cilin e ka siguruar KosovaPress, e i cili mban datën e sotme (22 korrik 2026) thuhet se kërkesa u drejtohet të gjithë banorëve që posedojnë pasuri të paluajtshme në territorin e mbuluar nga projektet e ndërmarrjes.

Sipas njoftimit, qytetarët duhet të dorëzojnë dëshminë e pronësisë (tapinë), kontratën e blerjes apo shitjes ose çdo dokument tjetër ligjor që vërteton pronësinë mbi pasurinë.

Dokumentacioni, sipas letrës zyrtare, mund të dorëzohet fizikisht në zyrat e "Ibër-Lepencit" pranë digës së Ujmanit ose në mënyrë elektronike në adresën [email protected], ndërsa afati për dorëzim është shtatë ditë nga publikimi i njoftimit.

Në dokument është shkruar edhe paralajmërimi se mosrespektimi i këtij afati mund të vështirësojë procesin e verifikimit të pronësisë dhe të ndikojë në të drejtat e personave si pronarë.

Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi "Ibër-Lepenci", me asistimin e policisë, nisi rrënimin e 11 objekteve në zonën e Liqenit të Ujmanit, duke argumentuar se ato ishin ndërtuar në pronë të ndërmarrjes.

Edhe Rrënohen 11 vila në pronën e Ibër-Lepencit në Ujman Arbëri 1 d. më parë Rrënohen 11 vila në pronën e Ibër-Lepencit në Ujman

Aksioni ka nxitur reagime ndërkombëtare. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë shprehu keqardhje për rrënimet, duke theksuar se ato u kryen pavarësisht se banorët e prekur kishin iniciuar procedura gjyqësore brenda afatit të paraparë në njoftimet e mëhershme të "Ibër-Lepencit". Ndërkaq, edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë bërë thirrje për ndërprerjen e veprimeve të mëtejshme dhe për zgjidhjen e çështjes në mënyrë transparente, përmes dialogut me komunitetin e prekur.

Në ditët e fundit, organizata vendore të shoqërisë civile nga veriu i Kosovës kanë ngritur po ashtu shqetësime lidhur me mënyrën e zbatimit të këtyre masave, duke kërkuar respektimin e procedurave ligjore dhe të drejtave pronësore të banorëve. /KosovaPress/