Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetët intensifikojnë punën në ditët e fundit të afatit kushtetues

Kuvendi

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Derisa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po përfundon, e që për pasojë do ta ketë shpërndarjen e Kuvendit, partia në pushtet e ka intensifikuar punën për miratimin e projektligjeve të sponsorisuara nga Qeveria. Në opozitë dhe në shoqërinë civile vlerësojnë se Vetëvendosje nuk e shfrytëzoi si duhet këtë kohë për ta përmbushur programin legjislativ të Qeverisë. E, sipas tyre, ky intensifikim i punës në fund po bëhet për shkaqe elektorale

Kur ka mbetur edhe një javë afat kushtetues për funksionim të Kuvendit, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka intensifikuar punën sa u përket shqyrtimit dhe miratimit të projektligjeve.

Vetëm gjatë së mërkurës, 10 projektligje e dy marrëveshje ndërkombëtare u trajtuan nëpër komisione parlamentare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Partitë opozitare dhe monitorues të punës së Kuvendit vlerësojnë se Vetëvendosje nuk e ka shfrytëzuar në mënyrën e duhur afatin kushtetues prej 34 ditësh, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për trajtim të ligjeve.

Sipas tyre, lënia e këtyre projektligjeve për trajtim në ditët e fundit po bëhet për efekt elektoral.

“Përveç konsumit publik ka edhe një tendencë tjetër për të krijuar monopol mbi sektorë të caktuar. Pra, 6 vjet në pushtet nuk ka kryer asnjë reformë institucionale, nuk ka kryer asnjë investim kapital, nuk e ka kthyer asnjë sektor ashtu sipas planifikimeve të veta. E tani po mundohet në javën e fundit që i ka mbetur legjislaturës ta mbulojë paketën politike për t’i kapur edhe ashtu disa sektorë ose rregullatorë të pavarur t’i fusë nën sqetullën e Ekzekutivit”, ka theksuar deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Lidhur me planet legjislative, në Vetëvendosje nuk janë deklaruar.

Për 34 ditët sa ka dhënë afat Kushtetuesja, Kuvendi deri tash ka miratuar vetëm katër marrëveshje ndërkombëtare dhe asnjë ligj.

Në lexim të parë, i ka miratuar 10 projektligje, të cilat pritet që sonte, në orën 20:00, të trajtohen nga Komisioni për Buxhet sa u përket efekteve financiare dhe të enjten do të jenë subjekt i trajtimit në lexim të dytë në seancë plenare.

E Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se pushteti nuk e përdori në mënyrë efektive kohën që e pati në dispozicion.

“Qeveria dhe më pas Kuvendi nuk e kanë shfrytëzuar si duhet kohën në dispozicion për të trajtuar dhe miratuar disa nga ligjet më të rëndësishme për vendin”, ka deklaruar Jakaj.

Në seancat e fundit ka pasur disa tentime për futjen e ligjeve në rend dite me procedurë të përshpejtuar, të cilat nuk arritën të miratohen shkaku i kundërshtimit të opozitës.

Në opozitë thonë se nuk do të bëhen pjesë e trajtimit të shpejtë të ligjeve, nëse ka tendenca të tilla nga Vetëvendosje, e në shoqërinë civile theksojnë se kjo mënyrë sjell defekte të mëdha edhe përmbajtjesore e edhe kushtetuese.

“Për ne kjo procedimit është problematike sepse procesi legjislativ kërkon kohë, përgatitje, konsultim dhe pjesëmarrje të akterëve kryesorë. Ligjet me ndikim të madh nuk mund të trajtohen përmes procedurave të shkurtra pasi rrezikohet edhe cilësia e tyre edhe cenohen standardet”, ka theksuar Jakaj.

Shkaku i ndjekjes së procedurave të përshpejtuara, janarin e sivjetmë Kushtetuesja i ka rrëzuar brenda një dite 13 ligje. Që nga konstituimi i kësaj legjislature janë miratuar 17 ligje - 16 prej të cilave janë marrëveshje ndërkombëtare dhe vetëm një ligj - ai për Buxhetin.

E në procedurë janë 27 të tjera, përfshirë atë për sigurimet shëndetësore e Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Programi legjislativ për vitet 2026–2028 ka paraparë 174 projektligje, nga të cilat vetëm këtë vit Qeveria ka caktuar si synim që t’i procedojë për miratim në Kuvend 143 syresh.