Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetët kërkojnë publikimin e kontratave për shitblerjen e energjisë elektrike

Janina Ymeri - Komisioni për Ekonomi

Në Komisionin për Ekonomi nxiti debat çështja e kontratave të shitblerjes së energjisë elektrike. Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kërkuar që të bëhet publikimi i këtyre kontratave nga pesë vjetët e fundit, porse kolegë të saj nga partia në pushtet – LVV-së, kanë insistuar që data të përfshijë edhe periudhën nga viti 2000 e tutje

Publikimi i kontratave për shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike gjatë pesë vjetëve të fundit ishte tema që ka nxitur debat mes deputetëve të opozitës dhe atyre të partisë në pushtet gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, të martën.

Anëtarja nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri, ka kërkuar që në kuadër të planit të punës së Komisionit të përfshihet edhe kjo çështje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nëse tema e kontratave dhe shitblerjes së energjisë elektrike, bashkë me anekse, kërkon diskutim më të gjatë, më shumë se javën tjetër me qenë në rend të ditës unë nuk besoj se ju nevojitet më shumë kohë për të diskutuar tutje. Sa është blerë energji elektrike dhe sa është shitur?”, ka thënë Ymeri.

E deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, ka bërë thirrje që çështja të diskutohet në një mbledhje tjetër dhe që datat të zgjerohen prej vitit 2000 e tutje.

“Unë jam, jo vetëm për këto data që tha deputetja Ymeri, por për krejt datat, çfarëdo që ka nevojë. Kërkesë nëse kemi edhe ne për data më herët e tash, por mendoj që kjo duhet me u diskutu edhe duhet me u kërku në njërën prej mbledhjeve që do t’i mbajmë në vazhdim”, ka thënë Ramadani.

Për këtë propozim të Ramadanit, nuk ka shprehur mospajtim deputetja Ymeri.

“Sa për propozimin e zotëri Ramadanit, pajtohem. Për mua prej vitit 2000 me nis nuk prish punë. 2000–2026 dhe krejt shihet pavarësisht partisë. Nuk është çështje politike pasi kemi me pa krejt partitë se sa është dëmtuar buxheti i qytetarit”, ka thënë Ymeri.

E kryetarja e Komisionit, Rozeta Hajdari, ka thënë se nuk e dekurajon kërkesën e deputetes Ymeri, por ka shtuar se duhen marrë parasysh edhe kërkesat e partisë në pushtet.

“Qëllimi është që fillojmë në mënyrë sa më konstruktive, por nëse kjo bëhet një normë e shpeshtë që të hedhim në votim çdo propozim, atëherë do të jetë më e vështirë për komisionin. Të diskutojmë këtë në takimin e radhës dhe t’i shtrojmë të gjitha datat e nevojshme edhe me kërkesat e juaja dhe të deputetëve dhe të kemi një qartësi për të gjitha periudhat sa i përket sektorit të energjisë”, ka thënë ajo.

Në mbledhjen e së martës është miratuar fushëveprimtaria e Komisionit për mandatin e legjislaturës së dhjetë.