Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputeti i VV-së lut ambasadorët “të mos e shkatërrojnë Kushtetuesen me vizita e ndërhyrje”

Adnan Rrustemi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u ka bërë thirrje disa ambasadorëve që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në një shkrim në Facebook të mërkurën, ai ka deklaruar se ndërhyrjet e mundshme përmes vizitave apo takimeve mund të dëmtojnë rëndë institucionin më të lartë kushtetues në vend.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, ka thënë Rrustemi.

Gjykata Kushtetuese aktualisht po shqyrton ankesën e Vetëvendosjes për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.

Më 9 mars, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars, periudhë gjatë së cilës presidentja nuk mund të shpallë zgjedhje të reja, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk mund të zhvillojë aktivitetin e tij.

Dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit erdhi pas dështimit që më 5 mars të zgjidhet presidenti i ri. Në seancën e 5 marsit, LVV-ja i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër konsensual, nuk kishin dhënë fryt.

Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme - në të cilin nuk mori pjesë VV-ja.

Osmani e ka arsyetuar dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.

Por, partia në pushtet ka pretenduar se dekreti i Osmanit nuk kishte bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin, prandaj edhe u ankua në Kushtetuese.

Ambasadori francez për deklaratën e Rrustemit: S’kam koment dhe të mos kesh koment, është koment

1 o. më parë / 11 mar 2026 12:50
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot,

Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot ka thënë se nuk ka koment rreth deklaratave të deputetit të Vetëvendosje Adnan Rrustemi, i cili në një shkrim luti disa ambasadorë “të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita”

“Nuk kam asnjë koment. Faleminderit. Dhe të mos kesh një koment, është një koment”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Ndërkaq i pyetur rreth takimit me kryeministrin Albin Kurti të premten pasi presidentja Vjosa Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, tha se do ta mbajë për vete atë që është diskutuar në takim.

“Do ta mbaj atë për ne për momentin”, tha shkurt Guerot pas një ngjarje që pati me Komunën e Prishtinës e ku u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen e grave që janë viktima të dhunës.