Arbëri

Dhunimi i 11-vjeçares nxit thirrjet për drejtësi në protestën në Ferizaj

Një grup i të rinjve kanë protestuar të enjten në Ferizaj kundër rastit të dhunimit nga pesë persona të një vajze 11-vjeçare, gjatë javës së shkuar në Prishtinë.

Protestuesit kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që ta trajtojnë në mënyrë profesionale rastin dhe që kryerësit e veprës ta marrin dënimin e merituar.

Endrit Gashi, njëri nga organizatorët e protestës, ka thënë se të rinjtë duhet të edukohen sa më shumë dhe të parandalohen këto dukuri negative.

“Arsyeja pse u mbajt kjo protestë në Ferizaj është se çdo qytetar duhet të dalë, pavarësisht punëve që e rrethojnë dhe problemeve që i ka, sepse atëherë kur është në pyetje një e mitur, nuk duhet qytetarët të qëndrojnë nëpër shtëpi ose nëpër kafe, por duhet të dalin për ta ngritur zërin. Po besoj që tash e tutje nuk do të ndodhin më përdhunime dhe abuzime seksuale me të mitur e po ashtu duke mos i përjashtuar edhe moshat madhore”, ka thënë Gashi.

Protestuesit kanë shprehur shqetësimet e tyre duke kërkuar nga organet e drejtësisë që të merren më shumë me parandalimin e rasteve të tilla.

“Ne kemi dalë këtu për të protestuar kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave që po bëhen në komunitetin tonë. Përdhunimi i 11-vjeçares nga pesë burra në Prishtinë në javën e kaluar ishte një thirrje për të gjithë qytetarët se kemi një problem shumë serioz në shoqërinë tonë, andaj duhet të veprojmë sa më shumë. Kjo si protestë sado pak do të ketë presion në institucionet publike dhe në shoqërinë në përgjithësi për të marrë masa për të parandaluar përdhunimin, ngacmimet seksuale dhe diskriminimin e grave, që është shumë i shpeshtë në shoqërinë tonë”, ka thënë protestuesi Shpëtim Ramadani.

Lidhur me këtë rast janë arrestuar pesë dhunuesit e dyshuarit, të cilët janë duke u mbajtur në paraburgim.