Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dobra e Zaraj deklarohen të pafajshëm për rastin e renovimit të objektit ku ndodhej AAK-ja

Droba -= Zaraj

Janë deklaruar të pafajshëm ish-zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë, Bedri Dobra dhe përfaqësuesi i kompanisë “Limit Project”, Lulzim Zaraj, lidhur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale, për abuzimin gjatë zbatimit të kontratës për renovimin e një objekti të Ministrisë në “Ulpianë” të Prishtinës, e në kuadër të së cilës parashihej edhe largimi i inventarit. Aktakuza u ngrit pas raportimit të KOHËS, që zbuloi se Ministria pagoi edhe për shumë hapësira që fare nuk kanë pasur inventar

Bedri Dobra, ish-zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë dhe Lulzim Zaraj, përfaqësues i kompanisë “Limit Project” janë deklaruar të pafajshëm të hënën para Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim me prokurimin publik. 

Prokuroria Speciale pretendon se ata me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëme financiar buxhetit në vlerë prej 36 mijë eurosh. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithatë, ata nuk pranuan këto akuza që rëndojnë mbi ta. 

“Thellë nga zemra dhe shpirti nuk e pranoj akuzën dhe e kam zbatuar kontratën 100 për qind në të gjitha pozicionet”, ka thënë Dobra. 

Edhe Lulzim Zaraj, përfaqësues i kompanisë “Limit Project” është përgjigjur me “Jo” në akuzat e prokurorisë. 

Aktakuza është ngritur pas hulumtimit të KOHËS, që pati zbuluar se Ministria e Bujqësisë ka paguar 66 mijë euro për largimin e inventarit nga objekti, në të cilin e ka pasur selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e në një pjesë të të cilit nuk ka pasur inventar fare.

E sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri Dobra në cilësinë e menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për personat e tjerë. 

“Me dashje dhe në kundërshtim me detyrimet ligjore nga neni 70 i Rregullores nr.001/2022 për prokurimin publik, si dhe të kushteve kontraktuale, i pandehuri ka pranuar dhe vërtetuar realizimin e plotë të punimeve dhe pagesave lidhur me pozicionet “Largimi (lëvizja) e Inventarit dhe mbetjeve tjera nga salla/zyra...” për 33 hapësira, ndonëse hapësirat kanë qenë pothuajse shumica prej tyre të zbrazëta, pa inventar, para fillimit të punimeve, rrjedhimisht pozicioni është realizuar vetëm pjesërisht, vetëm në hapësirat ku realisht ka ekzistuar inventari”, ka thënë Admir Shala, prokuror i rastit. 

E përfaqësuesi i kompanisë “Limit Project”, sipas prokurorit Shala, akuzohet për paraqitje të fakteve të rreme dhe deklarim të rrejshëm për realizimin e plotë të pozicionit për largimin e inventarit.

“Ndonëse kishte njohuri se një pjesë e konsiderueshme e hapësirave (katit të 3-të dhe bodrumit) ishin të zbrazëta dhe pa inventar, punët reale ishin kryer vetëm pjesërisht, veprime këto me të cilat i ka mundësuar dobi pasurore të kundërligjshme vetes, saktësisht operatorit ekonomik “L.P.” Sh.P.K., me seli në Prishtinë, duke i shkaktuar dëm të madh financiar buxhetit të Republikës së Kosovës, në vlerë prej 36,000 euro”, ka theksuar më tej Shala. 

Mbi kompaninë “Limit Project” rëndon akuza se ka deklaruar rrejshëm realizimin e plotë të pozicionit ani se ka pasur njohuri se punët reale ishin kryer vetëm pjesërisht. 

Të akuzuarit kanë 30 ditë kohë për ankesë ndaj aktakuzës dhe provave. 

Hulumtimi i KOHËS tregon se si Ministria pati paguar rreth 48 mijë euro më shumë krahasuar me çmimin e paraparë nga kompania projektuese për largimin e inventarit nga ndërtesa që gjendet në lagjen “Ulpiana”.