Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka emëruar në pozitën e drejtorit të Inspektoratit, Florentina Osmanin dhe ajo është udhëheqësja e katërt e kësaj zyre qëkur VV-ja udhëheq me këtë komunë.
Emërimi është bërë të martën, më shumë se dy muaj pasi është shkarkuar drejtori i këtij dikasteri, Besnik Mulliqi.
Shkarkimi i bërë më 2 gusht të këtij viti është përcjell me akuza e kundërakuza ndërmjet kryetari Bulliqi dhe ish-drejtorit Mulliqi.
“Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA. Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm!”, kishte shkruar në Facebook Besnik Mulliqi ditën e shkarkimit.
Mulliqi e kishte pranuar se ka pasur mospajtime të thella me Bulliqin, duke thënë se “në njërën anë ishte ai mbrojtje të ligjit” e në anën tjetër, sipas tij, “ishte kryetari për ta penguar”.
“Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz”, pati thënë ai.
Ndryshe kishte deklaruar kryetari, Shpejtim Bulliqi. Sipas tij, pikërishit mospuna dhe sabotimi i Mulliqit e ka detyruar të marrë vendimin. Kryetari i Komunës së Podujevës ka theksuar se për këta muaj sa Besnik Mulliqi ishte drejtor i Inspektoratit nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj ndërtimeve pa leje.
“Paralajmërimi për shkarkim i është bërë më 20 korrik dhe krejt kjo për shkak të neglizhencës dhe mosmarrjes së veprimeve konkrete, mu për ndërtimin e objekteve pa leje në lokalitetin e Orllanit. Deri tash janë 39 objekte pa leje dhe asnjë veprim të vetëm nuk e ka marrë deri sot. Shkarkimi i tij dhe transferimet që janë bërë brenda kësaj drejtorie, janë bërë për shkak të neglizhencës dhe sabotimit të punës. Për 8 muaj ditë asnjë veprim të vetëm nuk e ka marrë deri në ditën e sotme kur e ka ditur që është i shkarkuar”, kishte thënë për KOHËN Shpejtim Bulliqi.
Besnik Mulliqi ishte drejtori i tretë që nga ardhja në pushtetin lokal të VV-së. I pari në pozitën e drejtorit të Inspektoratit në këtë komunë ishte emëruar, Ajet Potera, pastaj Bedri Maqastena dhe i treti ishte Besnik Mulliqi.