Ministria e Arsimit nuk ka paraparë asnjë ndryshim në strukturën apo mënyrën e organizimit të Testit të Maturës, megjithëqë për çdo vit ky proces shoqërohet me raste të shpërndarjes së testit në rrjete sociale. Për të shmangur kopjimin, ekspertë të arsimit rekomanduan zhvillimin e tij në formatin online teksa ngrenë dilema për mënyrën e administrimit të tij
Testi i Maturës, i cili sivjet është paraparë të mbahet më 20 qershor e 29 gusht, nuk pritet që të pësojë ndryshime në strukturë apo në mënyrën e organizimit, ndonëse për çdo vit janë evidentuar raste të shumta kopjimi.
Për ta shmangur përsëritjen e shpërndarjes së përgjigjeve në rrjete sociale, në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se sivjet do të zbatohen masa më të rrepta sigurie dhe se para mbajtjes së testit do të organizohen takime informuese me komisione dhe administratorë.
“Në këto takime do të theksohen masat e rrepta për zbatimin e rregullave, si dhe do të diskutohet për mënyrat e monitorimit dhe parandalimit të çdo sjelljeje të papërshtatshme gjatë procesit të testimit. Kujtojmë se nxënësit që gjatë provimit posedojnë pajisje elektronike, pavarësisht nëse ato janë përdorur apo jo, do të konsiderohen në shkelje të rregullave të provimit dhe do të përballen me sanksionet e parapara në Rregulloren e Maturës Shtetërore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor për shmangien e kopjimit, njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, e sheh të domosdoshëm ndryshimin e formatit të testit, duke e rekomanduar kalimin në versionin online.
“Më e vështirë është të kopjohet, sepse testi online ke mundësi secilit studentë me ja dhënën një kopje individuale që nuk përputhet me studentin tjetër, sepse programet mund të bëjnë permutacionin e pyetjeve, numrit të pyetjeve dhe nën pyetjeve brenda pyetjes prandaj nëse një person e fotografon, e shpërndan… është duke e shpërndarë pyetjen e vet e jo të tjetrit. Konsideroj që në testin kompjuterik ka më shumë mundësi me u mbrojte prej falsifikimeve dhe shpërndarjes së kopjeve”, ka thënë Rexhaj.
E njohësi tjetër i arsimit, Rinor Qehaja, vlerëson se edhe në formatin online, problemi kryesor i testit qëndron te administrimi i tij.
“Testi i maturës problemin e ka në keqadministrim të tij, jodomoshmërisht në format. Pra, edhe nëse e kthen në online, edhe nëse e kthen në formë digjitale nëse nuk ka administrim të mirëfilltë dhe me rigorozitet super të barabartë në çdo qendër vlerësuese atëherë kemi me përfundu në të njëjtin rezultat”, është shprehur Qehaja.
Ai ka thënë se me administrim rigoroz, testimi online do të sillte më shumë transparencë.
“Mirëpo nëse mbarëvajtja dhe administrimi i tij na garanton pastaj një mbikëqyrje rigoroze në mënyrë shumë të barabartë për të gjithë, atëherë padyshim që ka kuptim edhe testi online, pasi që në secilin rast do të na sillte rezultate shumë më të shpejta, në kohë reale por në të njëjtën kohë edhe një transparencë më të rritur brenda procesit”, ka deklaruar ai.
Vitin e shkuar, testit të maturës iu nënshtruan 18 mijë e 130 maturantë porse atë e kaluan 12 mijë e 316 syresh, apo 68.6 për qind. Kjo shifër është më e ulët sesa në vitin 2024, kur testin e kaluan 73.3 për qind e maturantëve.