Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë sipas të dhënave të publikuara për vitin 2025 nga WorldAtlas. Në të njëjtën kohë, inflacioni në muajin prill është rritur për 7.5 për qind, krahasuar e vitin e kaluar. Ekspertët paralajmërojnë se rritja e vazhdueshme e çmimeve po merr përmasa shqetësuese, duke e quajtur atë “kancer” për ekonominë e vendit.
Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë, sipas të dhënave për vitin 2025 të publikuara nga platforma WorldAtlas, e cila bazohet në statistikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në krye të listës së 10 vendeve më të varfra renditet Moldavia, ndërsa Shqipëria zë vendin e shtatë dhe Serbia të tetin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë raportin për Kosovën thuhet se vendi ka një ekonomi të vogël dhe të orientuar kryesisht nga sektori i shërbimeve, ku ndërtimtaria, tregtia dhe remitencat përbëjnë pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik.
Raporti thekson se ekonomia ka shënuar rritje mesatare prej rreth 4% në pesë vjetët e fundit, por papunësia e të rinjve mbetet e lartë me rreth 30%.
Po ashtu thuhet se njohja e kufizuar ndërkombëtare e Kosovës pengon integrimin në institucione ndërkombëtare dhe ngadalëson investimet e huaja.
Ndërsa ekonomistët e kanë cilësuar si “kancer” të ekonomisë rritjen e inflacionit prej 7.5% gjatë muajit prill.
“Pasojat janë fatale. Inflacioni i lartë njihet si kancer për ekonominë e një vendi dhe sot qytetarët janë më të varfër, ekonomitë familjare janë më të dobëta, ndërsa bizneset po përballen me kosto të papërballueshme. Kjo do të ndikojë edhe në mungesën e investimeve dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve”, tha ekonomisti Bashkim Mustafa.
“E kemi paralajmëruar se anashkalimi i proceseve ekonomike në Kosovë dhe orientimi vetëm në agjenda politike me pretekst kryesor luftën për pushtet, është duke dëmtuar ekonominë e Kosovës. Një ndër indikatorët më shqetësues është fakti që inflacioni është shndërruar në një sëmundje kancerogjene, jo vetëm për aspektin ekonomik, por edhe për aspektin social”, tha ekonomisti Safet Gërxhaliu.
Ai shton se institucionet duhet të angazhohen më shumë për t’i zbutur efektet negative në ekonomi.
“Është e vërtetë që politika nuk krijon inflacion, por është obligim institucional, etik dhe moral i qeverisë të bëjë më tepër në dialog dhe në gjetjen e mundësive për të ulur efektet negative të inflacionit”, tha Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, varësia nga importi dhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike kanë ndikuar në rritjen e inflacionit.