Varësisht prej gjetjeve në procesin e rinumërimit të të gjitha vendvotimeve në 10 komuna dhe 10 për qind të vendvotimeve në komunat tjera, procesit të rinumërimit të votave mund t’i nënshtrohen edhe vendvotime të tjera, ka paralajmëruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Një ditë më parë, KQZ-ja mori vendim për rinumërimin e 914 kutive nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Dyshimet për mospërputhje të votave ndërmjet kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politike, bënë që KQZ-ja të marrë vendim për rinumërimin e një numri kaq të madh të vendvotimeve, të cilat përbëjnë 36% të tyre në nivel vendi.
“Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të kemi rinumërim të të gjitha vendvotimeve, ndërkaq në 28 të tjera do të rinumërohen vetëm nga 10% e vendvotimeve të tyre. Varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera”, ka thënë Elezi për “Ekonomia Online”.
Zëdhënësi i KQZ-së ka thënë se qëllimi i rinumërimit është garantimi i saktësisë së rezultatit të zgjedhjeve. Vendimi i KQZ-së për rinumërim vjen pas gjetjeve nga verifikimi i votave të kandidatëve për deputetë nga 33 vendvotime të ndryshme, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve ashtu siç janë në fletëvotime.
“Vendimi i KQZ-së për rinumërimin e votave ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Ky veprim synon verifikimin e çdo vote dhe sigurimin që rezultati përfundimtar të pasqyrojë në mënyrë të drejtë dhe të besueshme vullnetin e qytetarëve”, ka thënë Elezi.
Pamje nga procesi i numërimit. Foto: Driton Paçarada/KOHA












