Në episodin e 29-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, e ftuar është shkrimtarja dhe aktivistja britaniko-kosovare, Elizabeth Gowing.
Surroi: Duhet të dalim nga rrëfimi i luftës dhe t’i ndryshojmë prioritetet si shoqëri
Në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe shkrimtarja britaniko-kosovare Elizabeth Gowing diskutuan për ndryshimet që Kosova ka nevojë të bëjë për të ecur përpara si shoqëri. I pyetur nga Gowing se “çka do të ndryshonte në Kosovë”, Surroi ka thënë se gjëja e parë që do të ndryshonte është lista e prioriteteve si shoqëri.
“Ne ende funksionojmë në rrëfimin e sovranitetit, të luftës kundër Serbisë, e ndërkohë fëmijët që kanë lindur në fillim të këtij shekulli sot i kanë 25 vjet dhe nuk duhet të ngarkohen me këtë rrëfim”, ka thënë Surroi, duke shtuar se Kosova duhet të fokusohet në çështje që prekin jetën e përditshme të qytetarëve, si cilësia e jetesës, arsimi dhe mbrojtja e ambientit.
Ai u ndal edhe te një hulumtim i fundit i IRI-së, sipas të cilit mbi 40 për qind e qytetarëve të Kosovës e shohin koston e jetesës si çështjen kryesore që kërkon zgjidhje. Sipas Surroit, ky është tregues se vendi ka hyrë në një fazë të re – atë të transformimit social, ku prioritetet duhet të lidhen më shumë me mirëqenien, urbanizimin dhe migrimin.
Në vijim të bisedës, Gowing ndau edhe reagimet që kishte marrë nga ndjekësit e saj në rrjete sociale për të njëjtën pyetje, duke theksuar se shumica kishin përmendur ambientin si fushë që kërkon më shumë vëmendje. Surroi e përmbylli me konstatimin se kujdesi për ambientin, pastërtinë dhe respekti për cilësinë e jetës janë pikërisht ato tema të reja që duhet të bëhen pjesë e rrëfimit të ri të Kosovës.
Gowing: Serbia s’është e interesuar për mirëqenien e serbëve të Kosovës
Në një bisedë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, shkrimtarja dhe aktivistja britaniko-kosovare, Elizabeth Gowing, ka deklaruar se Serbia nuk është e interesuar për mirëqenien e serbëve që jetojnë në Kosovë.
Ajo ka theksuar se, ndonëse ekziston një lidhje historike dhe kulturore e fortë mes komunitetit serb në Kosovë dhe Serbisë, veprimet e Beogradit shpesh e bllokojnë zhvillimin dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.
“Kam parë në disa raste shumë specifike se si ky shtet amë nuk lobon për të mirën e serbëve brenda Kosovës. Kjo më frustron më së shumti, sepse kur Serbia faktikisht e bllokon zhvillimin e tyre, bëhet shumë vështirë për ta të integrohen dhe të kenë të drejtat bazike”, ka thënë Gowing.
Ajo solli si shembull punën e Komisionit për Verifikimin e Diplomave në Qeverinë e Kosovës, të cilin e udhëheq, duke treguar se përmes këtij mekanizmi janë verifikuar rreth 450 diploma të qytetarëve serbishtfolës, për të mundësuar punësimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, Gowing theksoi se Beogradi ka kërkuar nga shkollat e mesme në veri të mos bashkëpunojnë me Komisionin, edhe pse qëllimi ishte vetëm punësimi i qytetarëve serbishtfolës.
“Kjo tregon që qeveria e Serbisë nuk është e interesuar për mirëqenien e serbëve të Kosovës, por synon të bllokojë çdo lidhje të tyre me mundësitë që ofron Kosova”, tha ajo.
Rrëfimi i Gowingut: Një palë këpucë mund të bëjnë ndryshimin e madh në jetën e një fëmije
Në një bisedë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, shkrimtarja dhe aktivistja britaniko-kosovare Elizabeth Gowing ka ndarë historinë se si filloi përfshirja me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë — një përvojë që, siç thotë ajo, nisi “krejt rastësisht” në lagjet 28 dhe 29 të Fushë-Kosovës.
Gowing tregoi se takimi i saj i parë me një grua nga ky komunitet, e cila i kërkoi ndihmë për djalin e saj të vogël me këmbë të djegura, u bë pika e kthesës që e lidhi me këtë realitet social.
“Ia kam blerë një krem për 9 euro dhe i kam thënë të më lajmërojë kur t’i mbarohet. Ishte shumë e vogël për mua, por për ta kishte shumë rëndësi”, kujtoi ajo.
Nga ky veprim i vogël, nisi një lidhje njerëzore që zbuloi barriera të mëdha që komunitetet e margjinalizuara përballojnë çdo ditë. Gowing tregoi se kishte takuar fëmijë që nuk ndiqnin shkollën vetëm pse nuk kishin këpucë.
“Kam menduar që ishte arsyetim, por u ktheva dhe pashë që me këpucë të reja ata përnjëmend kishin filluar shkollën. Aty e kuptova që ndonjëherë mjafton të eliminohen pengesat më të vogla për të bërë ndryshimin më të madh”, ka thënë ajo.
Surroi e quajti historinë “një metaforë të fuqishme” për mënyrën se si ndihma e vogël mund të sjellë transformim të madh, ndërsa Gowing theksoi se ky përvojë e mësoi të shihte zhvillimin përmes nevojave reale të njerëzve, e jo përmes projekteve apo planeve të mëdha.