Për gjitha kërcënimet, fyerjet e përndjekjet, familja e vetme shqiptare që jeton në Surdullicë të Serbisë, ka deponuar kallëzim për veprën penale "Nxitje e përçarjes dhe mostolerancës kombëtare". Kjo familje, për ditë të tëra është përballur me protesta e fushatë online të serbëve, pasi anëtari i tyre shkaktoi aksident me fatalitet ku humbi jetën një 40-vjeçar serb
Familja e 20-vjeçarit shqiptar, që javë më parë shkaktoi aksident me fatalitet në Surdullicë e ku humbi jetën një 40-vjeçar serb, ka bërë kallëzim penal ndaj disa qytetarëve serbë për veprën penale "Nxitje e përçarjes dhe mostolerancës kombëtare".
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKallëzimi është deponuar në Prokurorinë në Vranjë dhe është shtyrë pas protestave e fushatës online të banorëve serbë për dëbimin e kësaj familje nga Surdullica pas aksidentit të shkaktuar nga 20-vjeçari me inicialet B.F.
"Në Prokurorinë e Lartë Publike në Vranjë, nga ana e një anëtari të familjes së të dyshuarit për aksidentin e ndodhur, përmes një zyre avokatie nga Vranja, është paraqitur kallëzim penal kundër disa personave, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘Nxitja e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare’ nga neni 317 i Kodit Penal. Kallëzimi në fjalë është përcjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, në Departamentin Special për Luftimin e Krimit të Teknologjisë së Lartë, pasi i gjithë materiali i propozuar si provë gjendet në rrjetet sociale, për çka kemi qenë të mendimit se kjo prokurori është kompetente për të vepruar", thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Vranjë.
Lidhur me kallëzimin penal të familjes shqiptare, KOHA ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, mirëpo nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.
E në Prokurorinë Publike në Vladiçin-Han kanë bërë të ditur se të dyshuarit B.F. i është vazhduar masa e paraburgimit, teksa hetimet po vazhdojnë.
“Ju njoftojmë se të dyshuarit B.F. nga fshati Planija, Prizren, i është vazhduar paraburgimi edhe për 30 ditë. Në cilësinë e dëshmitares nuk është marrë në pyetje vajza e të ndjerit J.R. nga fshati Zaguzhanje, komuna e Surdulicës. Gjithashtu, nuk janë kryer të gjitha ekspertizat e nevojshme, ndërsa është nxjerrë urdhër për kryerjen e ekspertizës së komunikacionit me qëllim të përcaktimit të lëshimeve që janë në lidhje të drejtpërdrejtë me shkakun e aksidentit. Konstatimi dhe mendimi i ekspertit të fushës së komunikacionit ende nuk i është dorëzuar prokurorisë”, ka deklaruar prokuroria në Vladiçin-Han.
Ky aksident me fatalitet, shpejt është kthyer në çështje etnike. Për disa ditë, policët u detyruan të ruajnë biznesin e familjes shqiptare, ndërkohë u bë fushatë që ai të bojkotohet nga banorët serbë.
Për situatën pati reaguar edhe komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, Millan Antonijeviq. Ai pati theksuar se thirrjet për dëbim dhe kërcënimet ndaj familjes me kombësi shqiptare përbëjnë shkelje serioze të së drejtës për barazi.
Në Surdullicë të Serbisë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë jetojnë rreth 10 mijë banorë, prej të cilëve vetëm gjashtë janë shqiptarë, të gjithë pjesëtarë të një familjeje.