Hyrja në fuqi e vendimit të Ministrisë së Tregtisë për caktimin e marzhës tregtare e ka frenuar rritjen e çmimeve të derivate. Por, një ditë para hyrjes në fuqi, kompanitë të cilat tregtojnë me naftë i kanë rritur çmimet dy herë brenda ditës. Të enjten, Autoriteti i Konkurrencës e ka filluar monitorimin e tregut për të parë nëse kompanitë janë duke i shkelur ligjin dhe vendimet
Dy herë brenda ditës së mërkurë janë rritur çmimet e derivateve, pasi që kompanitë të cilat tregtojnë me naftë e kanë shfrytëzuar mundësinë, para hyrjes në fuqi të vendimit të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë (MINT) për caktimin e marzhës tregtare, për t’i lëvizur çmimet deri në 1.44 euro për një litër naftë.
Vendimi i MINT-it për caktimin e marzhës së fitimit ka hyrë në fuqi të enjten dhe ai nuk e ka ulur çmimin, ndonëse të dhënat e Doganës, një ditë më parë kanë treguar se çmimi i importit është rritur për vetëm 1.5 cent për litër, ndërsa çmimi në treg i një litre naftë në një interval kohor prej 48 orësh është rritur për mbi 20 centë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë Ministri nuk kanë treguar nëse vendimi që përcakton që fitimi për shitjen me shumicë të jetë 2 centë dhe për atë me pakicë 12 centë, është respektuar nga kompanitë që tregojnë me naftë.
E pas lëvizjes së çmimeve të naftës, Autoriteti i Konkurrencës (AKK) e ka filluar monitorimin e të gjitha ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari me tregtimin e karburanteve.
“Përmes këtij monitorimi, Autoriteti synon të sigurojë mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese, si dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg. Rikujtojmë se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, kanë njoftuar në AKK.
Autoriteti i Konkurrencës u ka bërë thirrje bizneseve që të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, që të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorët e tjerë, si dhe të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, veçanërisht në këtë periudhë të zhvillimeve ekonomike dhe gjeopolitike.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, ky proces monitorimi është duke u zhvilluar në koordinim dhe në bashkëpunim të ngushtë me MINT-in, me Administratën Tatimore (ATK), me Doganën dhe me mekanizmat e tjerë përgjegjës për zbatimin e ligjit, me qëllim që të sigurohet respektimi i plotë i legjislacionit në fuqi, si dhe i vendimeve dhe rregulloreve të përcaktuara nga institucionet relevante.