Forca e Sigurisë se Kosovës ka njoftuar se njësitet e specializuara të Gardës Kombëtare, me urdhër të komandonit, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë zbarkuar në fshatin Sferkë të Pejës për të punuar për lokalizim të zjarrit në deponinë e mbeturinave që ndodhet në këtë fshat.
Në një njoftim të postuar në Facebook thuhet se FSK-ja është angazhuar pas pranimit të kërkesës nga Qendra e Situatave e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, lidhur me shpërthimin dhe përhapjen e zjarrit me përmasa të mëdha në këtë deponi.
Në njoftim thuhet se Qendra Operative e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë vlerësimin e menjëhershëm të rrezikut dhe kapaciteteve reaguese për këtë sfidë.
“Pas analizës përkatëse, me urdhër të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë mobilizuar dhe kanë zbarkuar në terren njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare me kapacitetet e saja për intervenim në këtë situatë. Operacioni ka filluar menjëherë me qëllim izolimin e vatrës së zjarrit, parandalimin e ndotjes toksike mjedisore dhe evitimin e efekteve zinxhir ndaj shëndetit publik të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se njësitë po punojnë në koordinim të ngushtë me autoritetet qendrore, lokale, shërbimet e emergjencave civile dhe popullatën lokale për të kthyer situatën në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme.
Deponia e mbeturinave në Sferkë të Pejës për më shumë se një është e përfshirë nga zjarri, që ka shkaktuar tym të dendur dhe shqetësim te banorët e zonës. Ata kanë protestuar dhe kanë kërkuar që krahas shtimit të ekipeve për ta ndalur zjarrin, të intensifikohen edhe hetimet për shkaktarët.
-
Zjarri në deponinë e Sferkës nuk shuhet as pas të reshurave
-
Prokuroria: Do të ketë arrestime nëse vërtetohet se zjarri në Sferkë u shkaktua nga njerëzit
-
Një ekip i FSK-së udhëton drejt Gazës për vlerësim paraprak
-
Zjarri në Deponinë e Sferkës, një protestues dërgohet në Emergjencë
-
KMDK-ja: Deponia në Sferkë menaxhohet nga KRU “Ambienti”, me aksionare kryesore Komunën e Pejës